Rrëfimi i menaxherit të lokalit ku u vra Elvedin Ibrahimi

Dardan Shabani, i akuzuar për vrasjen e Elvedin Ibrahimit, si dhe dy të akuzuarit tjerë Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti, të cilët në këtë rast akuzohen për pjesëmarrje në rrahje, dhe lëndim të lehtë trupor, janë ballafaquar me rrëfimin e dëshmitarit Pashtrik Nuredini.

Sipas Prokurorisë Dardan Shabani me datë 15 Qershor 2018 rreth orës 22:10 në kafeterinë ‘n’Konak’, i cili gjendet në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, me dashje direkte dhe nga hakmarrja e paskrupullt, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Elvedin Ibrahimi.

Dëshmitari Pashtrik Nuredini gjatë kohës kur kishte ndodhur ngjarja, ishte menaxher i organizimit të mbrëmjeve në lokalin ‘’N’Konak’’,

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij tha se “atë natë ka qenë festa e Bajramit, kemi pasur një organizim për festë. Gjatë ndejës e kam parë se është bërë një tollovi dhe kur unë jam afruar për të shikuar tollovia kishte përfunduar dhe kanë ardhur policia”.

Prokurori i rastit Rasim Maloku e pyeti dëshmitarin se a ka pasur rezervim atë natë për ndonjë tavolinë Dardan Shabani.

Dëshmitari Nuredini deklaroi se “Jo, s`ka pasur rezervim”.

Dëshmitari tjetër Elmedin Sherifi, për shkak se është shtetas i Republikës së Maqedonisë nuk ishte prezent në gjykatë, dhe për të mos u zvarritur procedura, dëshmia e tij u lexua, ku tregohet se ai kishte ardhur në Ferizaj për t’u argëtuar dhe papritmas kishte qëlluar krejt rastësisht në vendin ku ndodhi ngjarja, e sipas deklaratës së tij, ai nuk i njihte as të pandehurit e as të ndjerin.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Xhemajl Ahmeti, i propozoi gjykatës që të nxjerrë një ekspertizë për lartësinë e dëmit të shkaktuar nga vepra penale.

Gjithashtu propozime të reja pati edhe nga avokati i Dardan Shabanit, Skender Musa. Ai kërkoi që të dëgjohen edhe 5 dëshmitarë të rinj, tre të parët ishin ndërmjetësues të cilët kishin tentuar të pajtojnë të akuzuarin me viktimën, një tjetër instrumentist, i cili kishte lajmëruar ngjarjen e asaj dite, për festën e Bajramit, si dhe dëshmitari i fundit roja i sigurimit, i cili kishte kryer kontrollin atë natë.

Prokurori Maloku sa i përket këtyre propozimeve, tha se nuk janë të nevojshme për shkak se do të zvarritej procedura penale.

E trupi gjykues i refuzoi të gjitha, përjashtimisht vendosi që në seancën e radhës të dëgjohet dëshmitari, i cili ishte pjesëtar i sigurimit natën kritike kur kishte ndodhur ngjarja.

Për propozimin e avokatit Xhemajl Ahmeti, për ekspertizë të re, trupi gjykues e refuzoi duke iu referuar se nga praktika për realizimin e kërkesës pasuroro-juridike pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil pas përfundimit të gjykimit.

Sipas aktakuzës pas një mosmarrëveshje të para një viti me të cilin tani i ndjeri e kishte goditur me thikë tani të pandehurin duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Në aktakuzë theksohet se i akuzuari Shabani në shenjë hakmarrje ditën kritike ka shkuar së bashku me të pandehurit Meriton Musliu dhe Albion Ahmeti, në kafeterinë e përmendur ku ishte duke punuar si sigurim fizik tani i ndjeri, me ç’rast e ka nxjerr thikën me të cilën në mënyrë tinëzare nga hakmarrja e paskrupullt e godet viktimën në pjesën e gjoksit, e cila depërton deri në zemër.

Kurse i pandehuri Meriton dhe Albion e godasin me mjete të forta karrige, shishe të birrës kështu që i ndjeri rrëzohet kurse i pandehuri Dardan Shabani e godet dhe tetë herë me thikë në pjesën e shpinës dhe një herë në pjesën e qafës, nga të cilat goditje pëson lëndime të rënda trupore dhe gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, si pasoj e të cilave pasi dërgohet në QKUK në Prishtinë ndërron jetë.

Sipas aktakuzës i akuzuari Dardan Shabani në kohë datë dhe vend të njëjtë i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Elmendin Sherifi pasi që i dëmtuari kishte ndërhyrë për t’i ndarë të pandehurit dhe tashmë të ndjerin të ndjerin Elvedin Ibrahimi, i akuzuari e ka goditur me thikë në parakrahun e dorës së djathtë duke i shkaktuar lëndime trupore.

Sipas Prokurorisë Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti kanë marrë pjesë në rrahje, në të cilën ka mbetur i vdekur Elvedin Ibrahimi dhe në mënyrë të paprovokuar kanë marrë pjesë në rrahje duke e goditur me shishe të birrës të ndjerin dhe pjesëmarrësit e tjerë që kanë tentuar t’i ndajnë.

Dosja e Prokurorisë sqaron se me datë kohë dhe vend të njëjtë Meritoni dhe Albioni i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarve Ibrahim Emini dhe Elmedin Sherifit, rrahja sipas prokurorisë ka ndodhur kur të dëmtuarit kanë tentuar t’i ndajnë ,ku në atë moment i pandehuri Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti, i kanë goditur me karrige dhe shishe të qelqit, ku kanë pësuar lëndime trupore.

Seanca e radhës u caktua me datë 26 shkurt.

 

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast – LINK