Vrasja brenda lokalit në Ferizaj, të akuzuarit deklarohen për fajësinë

Dardan Shabani, i akuzuar për vrasje të rëndë në një aheng në lokalin ‘n’Konak’ në Ferizaj ku kishte mbetur i vdekur Elvedin Ibrahimi, nuk e ka pranuar fajësinë.

Së bashku me Dardan Shabanin nga Prokuroria po akuzohen edhe Meriton Musliu dhe Albion Ahmeti, dy të fundit për pjesëmarrje në rrahje.

Para trupit gjykues të udhëhequr nga kryetari Sahit Krasniqi të akuzaurve iu dha mundësia të deklarohen lidhur me fajësinë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rasim Maloku.

Të njëjtit pasi që ishin konsultuar me mbrojtësit e tyre nuk e pranuan fajësinë.

I akuzuari Dardan Shabani gjatë seancës gjyqësore i shprehu ngushëllime familjes së të ndjerit Ibrahimi, ndërsa për fajësinë u deklarua i pafajshëm.

Avokati i tij Skender Musa deklaroi se i mbrojturi i tij nuk e mohon se për shkak të veprimeve të tij ka humbur jetën i ndjeri, por se e kundërshtojnë cilësimin juridik të veprës nga ana e Prokurorisë.

“Dardan Shabani nuk ka shkuar me qëllim që të hakmerret ndaj të ndjerit, por ka shkuar në lokal për atë aheng”, tha avokati Musa.

Edhe të akuzuarit Meriton Musliu dhe Albion Ahmeti nuk e pranuan fajësinë për veprën penale.

Seanca e radhës në të cilën do të dëgjohen disa dëshmitarë u caktua për datën 14 nëntor.

Sipas Prokurorisë Dardan Shabani me datë 15 Qershor 2018 rreth orës 22:10 në kafeterinë ‘n’Konak’, i cili gjendet në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, me dashje direkte dhe nga hakmarrja e paskrupullt, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Elvedin Ibrahimi. Sipas aktakuzës pas një mosmarrëveshje të para një viti me të cilin tani i ndjeri e kishte goditur me thikë tani të pandehurin duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Në aktakuzë theksohet se i akuzuari Shabani në shenjë hakmarrje ditën kritike ka shkuar së bashku me të pandehurit Meriton Musliu dhe Albion Ahmeti, në kafeterinë e përmendur ku ishte duke punuar si sigurim fizik tani i ndjeri, me ç’rast e ka nxjerr thikën me të cilën në mënyrë tinëzare nga hakmarrja e paskrupullt e godet viktimën në pjesën e gjoksit, e cila depërton deri në zemër. Kurse i pandehuri Meriton dhe Albion e godasin me mjete të forta karrige, shishe të birrës kështu që i ndjeri rrëzohet kurse i pandehuri Dardan Shabani e godet dhe tetë herë me thikë në pjesën e shpinës dhe një herë në pjesën e qafës, nga të cilat goditje pëson lëndime të rënda trupore dhe gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, si pasoj e të cilave pasi dërgohet në QKUK në Prishtinë ndërron jetë.

Sipas aktakuzës i akuzuari Dardan Shabani në kohë datë dhe vend të njëjte i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Elmendin Sherifi pasi që pasi i dëmtuari kishte ndërhyrë për t’i ndarë të pandehurit dhe tashmë të ndjerin të ndjerin Elvedin Ibrahimi, i akuzuari e ka goditur me thikë në parakrahun e dorës së djathtë duke i shkaktuar lëndime trupore.

Sipas Prokurorisë Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti kanë marrë pjesë në rrahje, në të cilën ka mbetur i vdekur Elvedin Ibrahimi dhe në mënyrë të paprovokuar kanë marrë pjesë në rrahje duke e goditur me shishe të birrës të ndjerin dhe pjesëmarrësit e tjerë që kanë tentuar t’i ndajnë.