Foto: KALLXO.com

Punëtori i sigurimit dëshmon në gjykimin për vrasjen në kafene në Ferizaj

Në Gjykatën e Ferizajt ka vazhduar gjykimi i Dardan Shabanit, i akuzuar për vrasjen e Elvedin Ibrahimit.

Në këtë proces gjyqësor po gjykohen edhe Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në rrahje dhe lëndim të lehtë trupor.

Për këtë rast, i cili ka ndodhur më 2018 në kafenenë “n’Konak”, në Ferizaj, ka dëshmuar Shemsi Bajrami.

Dëshmitari tha se punonte si punëtor sigurimi në kafenenë e lartëpërmendur dhe se në natën kritike kishte ardhur i akuzuari Dardan Shabani, me të cilin ishin përshëndetur dhe ia kishin uruar Bajramin njëri-tjetrit.

Dëshmitari tha se meqë kishte muzikë me DJ, i akuzuari i kishte thënë se po hipte lartë.

Tutje, dëshmitari sqaroi se ai ishte te hyrja e parë për në lokalin “n’Konak”, kurse te pjesa lartë kanë qenë puntorë të tjerë të sigurimit.

Më pas, dëshmitari Bajrami tregoi se e kishte parë duke dalë të akuzuarin Dardan Shabanin, i cili, sipas tij, ishte i gjakosur në gjoks.

I pyetur nga prokurori Rasim Maloku nëse e ka ditur nëse ka pasur një konflikt mes të akuzuarit dhe tashmë viktimës, dëshmitari tha se kishte dëgjuar se kanë pasur problem, por nuk e dinte të çfarë natyre.

Dëshmitari tha se ka pasur raporte të mira edhe me të akuzuarin edhe me viktimën.

I pyetur nga nëna e të ndjerit Elvedin Ibrahimi, Sirije Ibrahimi, nëse e kishte pyetur të akuzuarin, kur e kishte parë të gjakosur, se më kishte pasur problem, dëshmitari tha se nuk e ka pyetur.

Krejt në fund, dëshmitari Shemsi Bajrami tha se as nga pronari e as nga menaxheri nuk kam pasur sugjerim që t’i njoftojë në rast se vjen Dardan Shabani në lokal.

Sipas Prokurorisë, Dardan Shabani më 15 qershor 2018 rreth orës 22:10 në kafenenë “n’Konak”, e cila gjendet në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, me dashje direkte dhe nga hakmarrja e paskrupullt ka vrarë Elvedin Ibrahimin.

Në aktakuzë theksohet se i akuzuari në shenjë hakmarrjeje ditën kritike ka shkuar së bashku me të pandehurit Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti në kafenenë e përmendur ku ishte duke punuar si sigurim fizik tani i ndjeri, me ç’rast e ka nxjerrë thikën me të cilën në mënyrë tinëzare nga hakmarrja e paskrupullt e godet viktimën në pjesën e gjoksit, e cila depërton deri në zemër.

Kurse të pandehurit Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti e godasin me mjete të forta, karrige, shishe të birrës, kështu që tashmë i ndjeri rrëzohet kurse i pandehuri Dardan Shabani e godet edhe tetë herë me thikë në pjesën e shpinës dhe një herë në pjesën e qafës.

Nga këto goditje, sipas aktakuzës, viktima pëson lëndime të rënda trupore dhe gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, si pasojë e të cilave dërgohet në QKUK, ku edhe vdes.

Sipas aktakuzës i akuzuari Dardan Shabani në kohë datë dhe vend të njëjtë i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Elmendin Sherifi pasi që i dëmtuari kishte ndërhyrë për t’i ndarë të pandehurit dhe tashmë të ndjerin Elvedin Ibrahimi. I akuzuari e ka goditur me thikë në parakrahun e dorës së djathtë duke i shkaktuar lëndime trupore.

Sipas Prokurorisë, Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti kanë marrë pjesë në rrahje, në të cilën ka mbetur i vdekur Elvedin Ibrahimi dhe në mënyrë të paprovokuar kanë marrë pjesë në rrahje duke e goditur me shishe të birrës të ndjerin dhe pjesëmarrësit e tjerë që kanë tentuar t’i ndajnë.

Dosja e Prokurorisë sqaron se në datën, kohën dhe vendin e njëjtë Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarve Ibrahim Emini dhe Elmedin Sherifit.

Rrahja sipas Prokurorisë ka ndodhur kur të dëmtuarit kanë tentuar t’i ndajnë dhe ata janë goditur me karrige dhe shishe të qelqit.

Kallxo.com ka raportuar për këtë rast;

Rrëfimi i menaxherit të lokalit ku u vra Elvedin Ibrahimi