Çekani i drejtesise - Ilustrim

Njëzet e pesë vjet burg për vrasjen në kafene në Ferizaj

Gjykata në Ferizaj ka shpallur dënimin ndaj Dardan Shabanit  i cili akuzohej për vrasje të rëndë. Bashkë me të por për pjesëmarrje në rrahje akuzoheshin edhe Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti

Dardan Shabani u shpall fajtor për vrasje të rëndë dhe iu shqiptuan 20 vjet burg. Ndërsa të pandehurit Murseli dhe Ahmeti u dënuan  veç e veç pjesëmarrje në rrahje me nga  dy vjet e gjashtë muaj.

Sipas Prokurorisë, Dardan Shabani më 15 qershor 2018 rreth orës 22:10 në kafenenë “n’Konak”, e cila gjendet në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, me dashje direkte dhe nga hakmarrja e paskrupullt ka vrarë Elvedin Ibrahimin.

Në aktakuzë theksohet se i akuzuari në shenjë hakmarrjeje ditën kritike ka shkuar së bashku me të pandehurit Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti në kafenenë e përmendur ku ishte duke punuar si sigurim fizik tani i ndjeri, me ç’rast e ka nxjerrë thikën me të cilën në mënyrë tinëzare nga hakmarrja e paskrupullt e godet viktimën në pjesën e gjoksit, e cila depërton deri në zemër.

Kurse të pandehurit Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti e godasin me mjete të forta, karrige, shishe të birrës, kështu që tashmë i ndjeri rrëzohet kurse i pandehuri Dardan Shabani e godet edhe tetë herë me thikë në pjesën e shpinës dhe një herë në pjesën e qafës.

Nga këto goditje, sipas aktakuzës, viktima pëson lëndime të rënda trupore dhe gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, si pasojë e të cilave dërgohet në QKUK, ku edhe vdes.

Sipas aktakuzës i akuzuari Dardan Shabani në kohë datë dhe vend të njëjtë i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Elmendin Sherifi pasi që i dëmtuari kishte ndërhyrë për t’i ndarë të pandehurit dhe tashmë të ndjerin Elvedin Ibrahimi. I akuzuari e ka goditur me thikë në parakrahun e dorës së djathtë duke i shkaktuar lëndime trupore.

Sipas Prokurorisë, Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti kanë marrë pjesë në rrahje, në të cilën ka mbetur i vdekur Elvedin Ibrahimi dhe në mënyrë të paprovokuar kanë marrë pjesë në rrahje duke e goditur me shishe të birrës të ndjerin dhe pjesëmarrësit e tjerë që kanë tentuar t’i ndajnë.

Dosja e Prokurorisë sqaron se në datën, kohën dhe vendin e njëjtë Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarve Ibrahim Emini dhe Elmedin Sherifit.

Rrahja sipas Prokurorisë ka ndodhur kur të dëmtuarit kanë tentuar t’i ndajnë dhe ata janë goditur me karrige dhe shishe të qelqit.