Foto: Kallxo.com

Rigjykimi për tentim-vrasjen e para 16 viteve në Gjilan, i akuzuari ka shkuar në Zvicër

Para gjykatësit në Gjilan sot është dashur të paraqitet Alban Ibrahimi, i cili nga Prokuroria akuzohet se në vitin 2004 ka tentuar të vrasë një person.

Bashkë me Ibrahimin, në të njejtën procedurë, akuzohej edhe Sokol Zuzaku por ndaj tij ishte veçuar procedura pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë.

Në fillim të shqyrtimit të sotëm, mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Blerina Dermaku, tha se ka komunikuar me të akuzuarin dhe se ai gjendet në Zvicër.

“I mbrojturi im përmes telefonit më ka njoftuar se gjindet jashtë vendit dhe se për seancen e radhës unë e marr për obligim që ta ftoj atë”, tha shkurt avokatja Dermaku.

Gjykatësi Zyhdi Haziri e ndërpreu shqyrtimin gjyqësor pasi nuk pati kushte ligjore për të vazhduar në mungesë të të akuzuarit.

Gjykata e Gjilanit më 11.10.2019, e kishte liruar nga akuza të akuzuarin por Gjykata e Apelit me vendimin e saj të 20 shkurtit të këtij viti, lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas Prokurorisë, Sokol Zuzaku dhe Alban Ibrahimi më 22.07.2004, kanë tentuar ta vrasin të dëmtuarin Ramiz Spahiu.

Aktakuza sqaron se të akuzuarit për shkak të një konflikti të mëparshëm planifikojnë vrasjen e të dëmtuarit ashtu që i dalin në pritë dhe ia nxënë rrugën duke e goditur fillimisht me grushte në fytyrë kurse i akuzuari Sokol Zuzaku e kishte nxjerrë revolen dhe e kishte goditur me një predhë në anën e majt të krahërorit.

Seanca që është dashur të mbahet sot u shty për muajin dhjetor.