Foto: KALLXO.com

Rigjykimi i inspektorit, avokati: I akuzuari s’i mori 500 eurot ryshfet por hua

Në Gjykatën e Gjilanit sot është mbajtur seanca ndaj inspektorit të Komunës së Kamenicës, Sadullah Dërmaku, i akuzuar për marrje ryshfeti.

Seanca e sotme ishte e fundit ku u dhanë edhe fjalët përfundimtare të palëve para shpalljes së aktgjykimit.

Prokurori Agron Uka edhe pas kthimit të rastit në rigjykim sërish ka kërkuar dënimin e inspektorit të komunikacionit në Kamenicë.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori ka kërkuar që i akuzuari Sadullah Dërmaku të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

“Gjendja faktike është argumentuar dhe vërtetuar me dëshminë e dëshmitarëve dhe  fajësia është dëshmuar edhe nga përgjimet, të cilat japin bazë të mjaftueshme se kjo çështje në mënyrë të qartë është përshkruar për nga mënyra koha dhe kryerja e veprës penale si në dispozitivin e aktakuzës”, tha prokurori Uka.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Shemsedin Piraj, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se pas shtjellimit të provave, gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe nga përmbajtja e tyre nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet nga Prokuroria.

“Me shikimin e CD-së e cila u bë, vërtetohet se i akuzuari nuk e kishte kushtëzuar asnjëherë të dëmtuarin që ai të detyrohej të jap para në lidhje me zhvillimin e afarizmit biznesor”, tha avokati Piraj.

Tutje mbrojtësi tha se asnjëherë i akuzuari nuk e ka gjobitur firmën e të dëmtuarit.

“Firma “Taxi City” e cila është pronë e të dëmtuarit nuk është gjobitur asnjëherë dhe me rastin e arrestimit nga Policia i akuzuari vazhdimisht ka deklaruar se paratë të cilat Prokuroria pretendon se janë marrë në emer të ryshfetit ato në fakt i ka kërkuar hua nga i dëmtuari. Andaj në mungesë të provave kërkoj nga Gjykata lirimin e të akuzuarit”, tha tutje avokati.

Kujtojmë se para se të jepeshin fjalët përfundimtare në seancë janë dëgjuar edhe dëshmitarët Besnik Shabani, Hajrush Halili dhe Petrit Isufi (këta dy të fundit zyrtarë policorë).

Pastaj është bërë leximi i shkresave të lëndës, u shikua edhe  një video-incizim, si dhe ka dhënë mbrojtjen e tij i akuzuari Sadullah Dërmaku.

Dëshmitarët të cilët u dëgjuan deklaruan se qëndrojnë pranë deklaratave të mëparshme të shqyrtimeve gjyqësore.

Kujtojmë se Gjykata e  Gjilanit në prill të vitit 2018 të akuzuarin Dërmaku e kishte shpallur fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 muajve dhe dënim me gjobë ne shumën prej 300 euro.

Po ashtu, ndaj Sadullah Dërmakut Gjykata e shkallës së parë kishte shqiptuar edhe dënim plotësues (me kusht), ndalimi i ushtrimit të profesionit në administratë publike në kohëzgjatje prej dy vitesh.

Pas kësaj dhe pas rigjykimit, Gjykata e Gjilanit në janar 2019 përsëri ashtu si në gjykimin e parë, të akuzuarin Sadullah Dërmaku e kishte dënuar me 15 muaj burgim dhe 300 euro gjobë.

Përsëri Gjykata e Apelit në muajin prill 2019 e kishte kthyer çështjen në rigjykim duke konstatuar shkelje esenciale te dispozitave procedurale nga Gjykata e shkallës së parë.

Sipas Prokurorisë, Sadullah Dërmaku në muajin tetor 2017 në Kamenicë në cilësinë e inspektorit të komunikacionit në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar si person zyrtar.

Aktakuza e Prokurorisë gjithashtu thotë se në mënyrë që të dëmtuarit Besnik Shabani t’i mundësojë ushtrimin e veprimtarisë së biznesit “City Taxi”, i akuzuari i ka kërkuar 500 euro (të dëmtuarit), para të cilat i ka marrë nga i dëmtuari dhe të njëjtat ishin gjetur në xhepin e palltos së tij ku pas bastisjes nga ana e zyrtarëve policorë  i akuzuari edhe ishte arrestuar.

Ne fund të seancës gjyqësore, kryetari i trupit gjykues Zyhdi Haziri shpalljen e aktgjykimit për këtë rast e caktoi për më 18 nëntor 2019.