Pallati i Drejtësisë, Prishtinë. Foto: BIRN.

Rifillon beteja gjyqësore 'Devolli Corporation' - 'Kosova Sot / Reshat Badallaj'

Pak ditë më parë avokatët e palës së paditur, gazetarit Reshat Badallaj, “Avokat Gent dhe Blend” njoftuan përmes një postimi në rrjetin sociale facebook se e kishin fituar betejën gjyqësore me objekt kontesti – shpifje dhe fyerje – kompensim dëmi, të iniciuar nga “Korporata Devolli” kundrejt “Gazetës Kosova Sot” dhe gazetarit Reshat Badallaj.

Kjo jo pa shkas sepse Gjykata në Prishtinë, divizioni civil, me gjyqtarin Përparim Zeka, për këtë çështje juridike kontestimore kishte nxjerrë aktvendim duke e konsideruar të tërhequr padinë e ushtruar nga “Devolli Corporation”, duke arsyetuar se në seancën e shqyrtimit përgaditor dhe nga fletë-kthesa për dorëzim personal është konstatuar se paditësi ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, ftesën e ka pranuar më datën 19.05.2023, në seancë nuk prezanton dhe mos prezencën nuk e ka arsyetuar.

Një zgjedhje e tillë është e paraparë me Ligjin për Procedurën Kontestimore, respektivisht nenin 409, paragrafin 1.

Por këtë aktvendim e kishte kundërshtuar pala paditëse “Devolli Cooperation” përmes përfaqësuesit “SCRL Partners”, duke ushtruar kështu kërkesë për shfuqizimin e të njëjtit dhe kthim të lëndës në gjendje të mëparshme.

Sipas kërkesës për shfuqizim pala paditëse ka vlerësuar se aktvendimi në fjalë nuk përputhet me gjendjen faktike, sepse, sipas kërkesës, përfaqësuesi i paditësit nga Shoqëria e Avokatëve “SCLR Partners” është paraqitur në seancën e datës 9 qershor dhe atë në ora 10:30 në përputhje me ftesën nga Gjykata.

Mirëpo “SCRL Partners”, respektivisht avokatët e autorizuar Qëndrim Zogaj, Hekuran Haxhimusa dhe Blerim Prestreshi kanë argumentuar se Gjykata ka bërë një gabim teknik dhe seancën e ka mbajtur në ora 10:00, 30 minuta më herët dhe si rezultat i këtij gabimi është konstatuar gabimisht se paditësi nuk ka prezantuar në seancë dhe padia është konsideruar e tërhequr.

Paditësit kanë ofruar dy dëshmi për të mbështetur verzionin e tyre, dhe atë: Ftesën për seancën dhe Procesverbalin e seancës.

Këto argumente i ka gjetur të mbështetura Gjykata e Prishtinës me ç’rast ka nxjerrë një aktvendim të dytë duke e prishur aktvendimin e parë.

Në aktvendimin e përpiluar nga gjykatësi Përparim Zeka, thuhet se duke qenë se seanca është mbajtur në orë të ndryshme nga ajo që u dërgua me ftesë dhe se paditësi nuk ka lëshuar asnjë afat pra është paraqitur për seancë, lejohet kthimi në gjendjen e mëparshme apo rifillimi i gjykimit, pasi i njëjti ishte pushuar.

I kontaktuar përmes telefonit dhe rrjetit social Facebook nga Kallxo.com Reshat Badallaj na është përgjigjur se lidhur me gjithçka që ka të bëjë me këtë proces mund të shprehen vetëm avokatët e tij.

E përkundër disa tentimeve nga Kallxo.com që të marrim një prononcim përmes telefonit apo me shkrim, përfaqësuesit e Badallajt “Avokatët Gent dhe Blend” nuk janë përgjigjur.

Përgjigje nuk kanë dhënë as nga studioja ligjore që përfaqëson “Devolli Corporation”, “SCRL Parnters” të cilët janë kontaktuar me email dhe telefon dhe as vetë “Devolli Coporation”.

Kurse avokati Valon Hasani ka bërë të ditur se nuk përfaqëson më gazetën “Kosova Sot”.

“Ka dy vite që s’jam pjesë e këtij procesi” – ka thënë përmes telefonit Hasani.

Ne u përpoqëm të mësonim se kush është përfaqësuesi i ri i gazetës në këtë proces gjyqësor dhe detaje të tjera lidhur padinë e pranuar por edhe “Kosova Sot” nuk u përgjigj në pyetjet tona me shkrim.



Çka përmban padia e ‘Devolli Cooperation’?

Më 17 Prill 2015 “Devolli Cooperation” kishte ushtruar padi ndaj gazetës “Kosova Sot” dhe gazetarit Reshat Badallaj- Zhuriani, ku thuhej se lidhur me aktivitetet e kësaj të fundit Gazeta në fjalë kishte nisur një fushatë me qëllim denigrimin, fyerjen dhe humbjen e reputacionit të kompanisë e cila sipas padisë kishte vazhduar për një kohë të gjatë me shkrime të ndryshme duke shpërndarë lajme krejtësisht të pavërteta.

Në padi vlerësohet se Gazeta “Kosova Sot” ka vazhduar të përhapë të pavërteta duke u munduar që çdo lajm apo skandal ta lidhë me kompaninë “Devolli Corporation”.

Aty përmendet se më datën 31 mars 2015, kjo gazetë ka publikuar shkrimin me titull: “Biznesi i paligjshëm, i favorizuar nga pushteti, pushton edhe segmentin e naftës?”, “Devolli me oligarkët e vet ia mësynë edhe naftës”.

Sipas “Devolli Corporation”, gazeta ua ka botuar gazetarëve të cilëve në padi ju referohet si “të ashtuquajturit të pavarur” shkrimet edhe pse, sipas tyre, në to ka mjaft shpifje dhe fyerje. Përkatësisht përmendet shkrimi i publikuar më datën 2 prill 2015, i cili mban titullin “Kosovë, kujdes! Mafiozët e nëntokës serbe, vëllezërit Devolli iu turrën arit të zi!”, i shkruar nga opinionisti i gazetës Reshat Badallaj- Zhuriani.

Për të cilin në padi thuhet të ketë shkruar një numër të artikujve me përmbajtje fyese dhe shpifëse.

Tutje përmendet se, gazeta “Kosova Sot” ka publikuar edhe shkrime të tjera, përveç tjerash edhe: “Qeveria në krahun e Devollit”, “Të hash a të mos hash”, ky i fundit në lidhje me produktet e “Devolli Corporation” sh.p.k., “Biznesi i paligjishëm, i favorizuar nga pushteti, pushton edhe segmentin e naftes?”, “Devolli” me oligarkët e vet ia mësyen edhe naftës”, të cilët po ashtu vlerësohen si pretendime të pavërteta dhe të pabazuara, për më tepër shpifje dhe fyerje në kuptim të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes.

“Devolli Corporation” përmes padisë kundërshton shkrimet e botuara sipas të cilave kjo kompani ka shtrirë monopolin dhe dominimin e plotë, në fushën e Terminaleve Doganore dhe telefoninë celulare si dhe e cilëson shpifje pretendimin e shkruar ku thuhet se “Devollët e kanë privatizuar kundërligjshëm Fabrikën e Amorizatorëve” dhe e akuzon gazetën për mungesë faktesh lidhur me këtë pretendim.

Sipas shkresave të deponuara në gjykatë pala paditëse i cilëson shkrimet e “Kosova Sot” si tendicioze.

Shpifje cilësohen edhe shkrimet ku gazeta ka cituar burime anonime nga Shoqata e Naftëtarëve, të cilat kishin thënë se “Devollët po synoinë që të marrin nën kontrollin e tvre edhe sektorin e naftës në Kosovë”.

Ndërsa në shkrimin e dytë të shkruajtur nga Reshat Badallaj- Zhuriani me titullin: “Kosovë kujdes! Mafiozët e nëntokës serbe, vëllezërit Devolli iu turrën arit te zi!”, i cili në padi theksohet se përmban një numër të shpifjeve dhe fyerjeve nga më të ndryshmet por edhe shprehje të tilla si: “Devollët me tradita antishqiptare”, “Mafiozët e nëntokës serbe, vëllezërit Devolli, kanë tradita të moçme antishaiptare që nga koha e vëllezërve Kariq”, “Këta matrapazë serbi që nder dejë u buron vrullshëm gjaku i gjeneve të Car Dushanit, akoma nuk u ngopën duke e vjedhur e duke plaçkitur Kosovën”.

Devollët kanë konsideruar se Gazeta “Kosova Sot” ka bërë shpifje dhe fyerje edhe në shkrimin “Qeveria në krahun e Devollit” ku theksohet se janë përdorur shprehje si: “… për të diskutuar mbi skandalin e grurit të mykur që bart firmën e “M Sillos -it.” Me ç’rast paditësi rikujton se ka paditur më herët të njëjtën gazetë për të njëjtin publikim me përmbajtje të fjalive të tilla si: “Biznesi i pakontrolluar me ushqimin, monopolet si në rastin e kompanisë “Devolli”, skandali i grurit për kafshë e i miellit apo importimi i mijëra tonëve qumësht pluhur nga vende të kontaminuara, janë disa argumente për rrezikun që u kanoset konsumatorëve”,  “Falë lidhjeve korruptive me pushtetin, korporata si ajo e ‘Devollit’, që ka monopole në disa fusha, tregu i ushqimit mbetet i pasigurt dhe i parregullt, ndërsa organet kompetente heshtin”.

Krejt këto veprime të cilat pala paditëse i ka quajtur “ të papërgjegjshme” thuhet në shkresa t‘i kenë shkaktuar dëm të konsiderueshëm kësaj të fundit dhe po ashtu të jenë në kundërshtim edhe me dispozitat e Kodit të Sjellies së Mediave.

E Ligji Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes në vendin tonë ia njeh të drejtës një personi apo subjekti për të ndaluar shpifjen dhe fyerjen dhe për të kërkuar që ajo të mos përsëritet në të ardhmen, tërheqjen e informacionit shpifës apo fyes ndaj personalitetit të tij/saj dhe kompensimin për dëmin moral dhe material të shkaktuar nga shpifia dhe fyerja, nëpërmjet një procedure giyqësore, ndonëse nga kjo e drejtë ka përjashtime veçanërisht kur në pyetje janë mediat dhe interesi publik.

Objektivi primar i paraqitësit të kërkesës, sipas padisë, është për të rivendosur reputacionin e vet.

Ndaj dhe Devollët i kanë prozuar Gjykatës që të konstatojë se paditësi ka përhapur të dhëna të pavërteta dhe ka fver në drejtim të paditësit në shkrimet e lartcekura; ta detyrojë paditësin të bëjë tërheqjen e deklarimeve të pavërteta dhe fyese, të nxjerrë një falje publike dhe të bëjë kompensimin për dëmet që ka shkaktuar me informacionin, sipas padisë, shpifës në vlerën e përcaktuar sipas një ekspertize të caktuar nga gjykata.

Në fund të shkresës përmendet edhe një kërkesë e Dovollëve, ata kanë kërkuar që të gjitha kërkesat e lartcekura të transmetohen për një minutë në të gjitha televizionet nacionale dhe duke e shpërndarë këtë edhe ne portalet informative që veprojnë në Kosovë.

Si është përgjigjur në padi Gazeta “Kosova Sot”?

Sipas shkresave të deponuara në Gjykatë gazeta lidhur me pretendimet që kanë të bëjnë me shkrimin “Biznesi i paligishëm, i favorizuar nga pushteti, pushton edhe segmentin e naftës?, ku paditësi pretendon se e paditura ka publikuar shpifje dhe fyerje gazeta konsideron se këto konstatime nuk qëndrojnë fare.

Kjo e fundit thotë se ka ngritur çështje të interesit për publikun dhe ka trajtuar favorizimin e paligjshëm që pushteti e pushtetarët i bëjnë këtij biznesi ngase, sipas përgjigjeve, është fakt notor (i ditur gjërësisht) që ky biznes ka monopol në homologimin e automjeteve, ka pozitë dominuese e monopoliste në tregun e terminaleve doganore në Kosovë, shfrytëzon kompanine publike Vala, përmes marrëveshjes me operatorin Virtual Z Mobile, dhe thuhet se të githa këto aktivitete biznesore janë zhvilluar dhe zhvillohen me pëlqimin e pushtetit përmes dhënies së licencave të ndryshme, dhe pastaj sipas burimeve zyrtare të gazetës kjo kompani ka tentuar që të merr licencë edhe sa i përket tregut të naftës. E paditura beson se është në interesin e publikut të gjerë që të njoftohet se si jepen licencat në fusha të ndryshme nga ana e perfaqësuesve të pushtetit, me ligj apo pa ligj e përtej tij.

Sa i përket shkrimit “Kosovë, kujdes! Mafiozët e nëntokës serbe, vëllezërit Devolli iu turrën arit të zi”, të publikuar në gazetë pala e paditur është shprehur se gjykata mund të vërej se në këtë faqe publikohen opinionet e lira të qytetarëve të vendit, duke përfshirë edhe analistëve të ndryshëm. Duke e distancuar kështu veten nga përmbajtja autoriale dhe rrjedhimisht përgjegjësinë juridike nga to.

Madje nënvizohet se në këtë faqe shkruan në mënvre recidive se “shkrimet në këtë faqe nuk shprehin qëndrimet e gazetës “KOSOVA SOT” dhe se për këto shkrime përgjegjësinë e marrin personat të cilët botojnë opinionet e tyre të paprekura nga gazeta”.

Sa i përket shkrimit “Qeveria në krahun e Devollit”, gazeta prentendon thjeshtë të ketë raportuar në lidhje me shqetësimet e publikuar rreth cilësisë së produkteve ushqimore, duke përfshirë edhe miellin, që ishin ngritur në këtë kohë. Më tutje në përgjigje shkruhet se këto shqetësime më vonë janë konstatuar me prova edhe nga një komision hetimor parlamentar i cili ka gjetur parregullsi dhe cilësi të dyshimt të miellit i cili importohet nga ana e paditësit.

Andaj, sipas gazetës edhe kjo temë është në interesin e publikut i cili ka të drejtë të njoftohet lidhur me këto ngjarje, dhe kjo punë është edhe detyrim i gazetës për të njoftuar publikun e gjerë të qytetarëve kosovarë.

Kurse lidhur me shkrimin “Të hash a të mos hash” edhe ky shkrim thuhet se ka të bëjë me shqetësimet e opinionit publik lidhur me cilësinë e ushqimit në vend.

Këto shqetësime sërish theksohet janë vërtetuar si të sakta edhe nga një komision hetimor i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Kjo konsiderohet nga e paditura se si çështje është me rëndësi të veçantë për publikun e gjerë i cili ka plotësisht të dretë të informohet lidhur me këto çështie nga gazeta që e ka edhe për detyrim të jetë në mbroitie të shëndetit e interesit të qytetarëve.

“Kosova Sot” po ashtu është mbështetur në Ligjin Civil Kundër Shpifjes Dhe Fyerjes përkatësisht në rastet e përjashtimit nga përgjegjësia dhe kufirin e përgjegjësisë ku meqenëse është medium ia ka batur barrën e dëshmimit të vërtetësisë së shkrimeve ‘Devolli Corporation’ dhe gjithashtu i ka konsideruar publikime të arsyeshme dhe në interes publik përhapjen e tyre për një qëllim të mirë duke marrë parasysh lirinë e shprehjes së lirë dhe interesin e publikut që në kohë të marrë informata për çështje të tilla.