Pamje:Përplasja në mes Prokurores Speciale dhe Avokati të Besim Beqajt

Besim Beqaj, i akuzuar në rastin e njohur si “Pronto’ e ka dhënë fjalën përfundimtare në gjykimin ndaj tij, Adem Grabovcit dhe të tjerëve.

“Në këtë vend duhet të ketë siguri juridike e cila bazohet mbi prova, fakte dhe dokumente e jo nga prapaskena”, ishin fjalët e vetme të Beqajt para trupit gjykues.

Avokati i Beqajt, Besnik Berisha, deklaroi se me të gjitha ato që i kanë elaboruar në fjalën e tyre me shkrim, duhet të rrezohet aktakuza dhe të lirohet klienti i tij.

“Për të dhënë një leksion kjo gjykatë se sado që i jeni nënshtruar një presioni jo nga ne, sado që janë shkruar letra me ju ndërru, me ju përjashtu, veç vendosni në bazë të asaj që u është servu, e këto kanë vetëm një përfundim, aktgjykim lirues”, tha Avokati Berisha.

Poashtu ai deklaroi edhe se: “Leksion për prokurorinë, sepse edhe publiku e di, tashmë e di se këta (prokuroria) e kanë thënë 100 herë se këtu s`kemi kurrgjë, por po e qojmë përpara për shkak të presionit publik. Bile siç e dini këta (prokuroria) kanë qenë të gatshëm edhe me ka 1 euro me i dënu me thënë jeni fajtor veç ta kryejmë këtë farë pune”, tha Berisha.

Pas këtyre fjalëve të avokatit Besnik Berisha, ndërhyri prokurorja Speciale Drita Hajdari, duke thënë se: “Nuk është e vërtetë”.

Avokati Besnik Berisha tha se: “Mu ma ka ofru vet kjo prokurorja që është përballë ka thanë po e mbyllim se unë s`jam e interesuar hiç, veç ta kryejmë këtë punë edhe me dënim me kusht e mbyllim bile mund të hyjmë edhe në poligraf me këqyr cili po rrejmë”.

Në Gjykatën e Prishtinës po mbahet seanca në rastin “Pronto” ku të akuzuar janë njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, përfshirë ish-deputetin Adem Grabovci, ish-ministrin Besim Beqaj, ish-deputetin Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministrin Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltarin politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtorin e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtorin e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefen e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Adem Grabovci akuzohet nga Prokuroria Speciale me 9 pika të aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Adem Grabovci gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kishte komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë të bordit të drejtorëve  në ndërmarrjet publike, ‘’Trainkos’’, ‘’Infrakos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’.

Sipas Prokurorisë Speciale, 11 personat e lartpërmendur akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.