Pse u lirua nga akuza për gazin lotsjellës ministrja Albulena Haxhiu?

Një vendim i gjykatës së Prishtinës e ka liruar nga akuza ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, për mbajtjen e kundërligjshme të gazit lotsjellës.

Nga akuza u liruan edhe tre ish-deputetët, Besa Baftiu, Donika Kadaj – Bujupi dhe Pal Lekaj.

Në anën tjetër në janar të vitit 2018, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu, ishin gjetur fajtor nga Gjykata për përdorim të gazit lotsjellës, i cili ishte hedhur në ambientet e Kuvendit.

Posedimi i armës, ishte vepra penale qw rwndonte ministren Haxhiu, e qw e shfuqizoi vendimi i fundit duke e liruar nga akuza.

Ndërsa dosja penale e vitit 2018 ndaj Kurtit, Haxhiut e deputetëve të tjerë ishte në drejtim të veprës penale-përdorimi i armës.

Gjykata para disa ditësh arsyetoi vendimin për lirim nga akuza, duke thënë se provat që ishin paraqitur nga prokuroria, nuk provojnë kryerjen e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza.

Sipas gjykatës në dosjen penale ndaj të akuzuarve, nuk ka asnjë ekspertizë që vërteton faktin se sendet e sekuestruara janë armë në pajtim me legjislacionin për armët.

“Nga administrimi i provave materiale, konkretisht vërtetimi mbi kthimin e sendit si dhe nga fotodokumentacioni dhe vërtetimi mbi sekuestrimin e sendit, gjykata vlerëson se nuk mund të vërtetohet së të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, pasi që nuk ka asnjë ekspertizë me të cilën do të vërtetohej fakti se sendet e sekuestruara do të ishin armë në pajtim me ligjin mbi armët”, është thënë në arsyetim të vendimit.

E po ashtu gjykata ka vlerësuar se bazuar në vërtetimin mbi kthimin e sendeve është vërtetuar se ato mjete po të ishin armë nuk do u ishin kthyer të akuzuarve.

Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj- Bujupi e Pal Lekaj, akuzoheshin nga prokuroria  se në shkurt të 2016-ës, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin marrëveshjen Kosovë – Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë – Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Pra rasti për të cilën është liruar nga akuza ministrja Haxhiu është për vepër penale të posedimit të armës, e që sipas gjykatës në shkresat e lëndës nuk ka asnjë ekspertizë që vërteton që sendi i dyshuar është gaz lotsjellës.

Në anën tjetër në vitin 2018 për akuzën përdorim të armës ishin shpallur fajtor Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu.

Ata akuzoheshin për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës ku me këto veprime absorbohen elementet e veprës penale-përdorimi i armës.

Në arsyetimin e aktgjykimit për këtë rast gjykata ka vlerësuar se nga videoincizimet shihet se të akuzuarit kanë hedhur gazin lotsjellës.

“Shihet qartazi që pas hedhjes së gazit dhe fillimi i përhapjes së tymit gjë që e bënë të pamundshëm qëndrimin në sallën e Kuvendit..”, thuhet në arsyetim të vendimit.

Sipas trupit gjykues edhe në fotografi shihen gjurmët që ka lënë përdorimi i gazit lotsjellës në dyshemenë e Kuvendit.

E po ashtu gjykata ka thënë se nga raporti i policisë rezulton se nuk ka qenë e mundur përcaktimi i llojit të materies se përdorur në detetktor mirëpo është përcaktuar se përdorimi i gazit lotsjellës në ambiente të mbyllura shkakton pasoja për shëndetin e njeriut siç janë lotimi, marramendja etj.

Po ashtu se janë shkaktuar pasoja në shëndetin e të tjerëve sipas gjykatës vërtetohet edhe nga ekspertizat mjekoligjore.

“Pra gazi është referuar në mënyrë specifike si mjet që konsiderohet armë, ndërsa referimi në veçori lotsjellës, është e kuptueshme meqenëse predikati lotsjellës nuk është identifikues për këtë lloj të gazit, mirëpo është një referim që i bëhet nga njerëz të cilët më njërën nga pasojat që shkaktohen nga përdorimi i tij e kanë identifikuar vetë llojin e gazit, duke i dhënë emërtimin gazi lotsjellës, ani pse si pasojë e gazit të hedhur mund të shkaktohen edhe pasoja të tjera, siç ka ndodhur edhe në rastin konkret, ku si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës në seancën e datës 08.10.2015, nga i akuzuari Albin Kurti, ka ardhur deri të shkaktimi i lëndimeve trupore të dëmtuarave..”, thuhet në arsyetim të gjykatës për këtë rast.

Dënohet me Burg Deputeti Albin Kurti