Foto: KALLXO.com

Prokuroria tërhiqet nga aktakuza ndaj njërit të akuzuar për 'spiunim' të biznesit të djemve të Isa Mustafës

Në Gjykatën e Ferizajt sot është dhënë fjala përfundimtare në rastin e zyrtarëve doganorë, të akuzuar se zbuluan sekretin tregtar të djemve të ish-kryeministrit Isa Mustafa për importe të pjesëve të veturave nga Serbia.

Para se të jepej fjala përfundimtare prokurori i rastit, Rasim Maloku, e ndryshoi aktakuzën për të akuzuarit Isa Shiti dhe Enliat Shala.

Isa Shiti sipas aktakuzës fillestare akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe komunikim të sekretit tregtar, ndërsa me ndryshim të aktakuzës tani ai akuzohet vetëm për komunikim të paautorizuar të sekretit tregtar.

Po ashtu, prokurori për të akuzuarin Enliat Shala u tërhoq nga akuza sepse, sipas tij, nga provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor nuk është provuar se ai ka konsumuar elementet e veprës penale – keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe komunikim i sekretit tregtar. Lidhur me këtë, prokurori po ashtu tha se Isa Shiti nuk e ka mohuar faktin se Enliat Shala nuk kishte printuar asgjë nga kompjuteri  i tij e aq më tepër nuk kishte marrë as shënime. Gjithashtu, koha kur janë printuar ato dokumente, pra rreth orës 12:43, sipas prokurorit nuk përputhet me kohën kur Enliat Shala ka pasur qasje në kompjuterin e Isa Shitit.

Ndërsa për të akuzuarin Ramadan Latifaj akuza mbetet në tërësi e njëjtë – keqpërdorim detyre dhe komunikim të paautorizuar i sekretit tregtar.

Në fjalën përfundimtare prokurori i rastit Rasim Maloku theksoi se mbetet pranë akuzës së ndryshuar në shqyrtim gjyqësor.

Ndër të tjera, prokurori deklaron se si fakt vendimtar ka qenë se nga kompjuteri i të akuzuarit Ramadan Latifaj është printuar një DUD (Deklaratë Unike Doganore), më 10 mars 2016 , i cili ka përmbajtur të dhëna për auto pjesë të BMW, përfaqësues i së cilës ka qenë ndërmarrja ‘’MAKCAR’‘, me seli në Prishtinë me pronar Besnik Mustafën.

Gjithashtu është fakt i vërtetuar se nga kompjuteri i Isa Shitit më 10 mars 2016 janë printuar 5 dokumentet unike doganore, dhe të cilat kanë përmbajtur të dhëna për auto pjesë të BMW, të ndërmarrjes “MAKCAR”, me pronar Besnik Mustafën.

Këto të dhëna janë publikuar në një konferencë nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, në një fushatë politike në kohën kur kryeministër ishte babai i të dëmtuarit Besnik Mustafa, Isa Mustafa.

Tutje prokurori në fjalën e tij përfundimtare deklaron se i akuzuari Isa Shiti ka qenë punëtor në ndërmarrjen “Interevropa”, dhe sipas mbrojtjes së tij qasje në kompjuter ka mundur të ketë vetëm me ID dhe password të tij, kurse në kohën kur janë printuar DUD-ët vërtetohet se i njëjti ka qenë në orar të punës.

Dhe në fund prokurori kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen konform ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ramadan Latifaj , avokati Kushtrim Obrazhda e njoftoi trupin gjykues se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim dhe ua dorëzoi nga një kopje trupit gjykues dhe prokurorit, por në elaborim të shkurtër avokati deklaroi se në asnjë provë të vetme nuk është dëshmuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale për të cilat po e akuzon Prokuroria.

Edhe avokati i të akuzuarit Isa Shiti, Flamur Troni, e dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim dhe deklaron se i mbrojturi i tij është keqpërdorur nga disa persona të tjerë, andaj kërkoi nga trupi gjykues ta shpallë të pafajshëm.

Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi me anëtarët e trupit gjykues Mustaf Tahiri dhe Mirlinda Rexhepi vendosën që shpallja e aktgjykimit të bëhet nesër.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e ndryshuar sipas të cilës për Ramadan Latifaj akuza mbetet e njëjtë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, më 10 mars 2016 në Doganën rajonale në Ferizaj, si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrat zyrtare, i akuzuari ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që tjetrit t’i shkaktojë dëm, duke printuar DUD-in e importuesit ‘’MAKCAR L.L.C’’ me seli në Prishtinë me pronar Besnik Mustafën, lidhur me importimin e pjesëve origjinale të veturave të markës BMW nga ndërmarrja “Delta Motors” me seli në Beograd të Serbisë, e cila është publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmtimit për ndërmarrjen dhe pronarët e saj.

Si dhe tutje sipas aktakuzës në kohë, datë dhe vend të njëjtë si person zyrtar i ka komunikuar personave të tretë sekretin afarist të ndërmarrjes “MAKCAR” i ka printuar dhe dorëzuar në mënyrë të paautorizuar përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje DUD-in e importuesit “MAKCAR” me seli në Prishtinë me pronar Besnik Mustafën, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës BMW nga ndërmarrja “Delta Motors” me seli në Beograd, e cila është publikuar në mjetet e informimit me qëllim shkaktimin e dëmtimit për ndërmarrjen dhe pronarit të saj.

E që sipas prokurorisë Ramadan Latifaj me këto veprime ka kryer veprat penale – keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe komunikim i paautorizuar i sekretit tregtar.

Gjithashtu më 16 mars 2016 Isa Shiti i ka komunikuar personave të tretë sekretin afarist të ndërmarrjes “MAKCAR” në atë mënyrë që si i punësuar në zyrën e shpedicionit në pikën kufitare Hani i Elezit i ka printuar dhe dorëzuar përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në mënyrë të paautorizuar DUD-in e importuesit “MAKCAR”. Ky dokument, sipas Prokurorisë, është publikuar në mjetet e informimit me qëllim shkaktimin e dëmtimit për ndërmarrjen dhe pronarin e saj.

Me këtë sipas prokurorisë ka kryer veprën penale -komunikim i paautorizuar i sekretit tregtar.