Prokuroria Speciale kërkon vazhdimin e paraburgimit të Pjetër Shalës

Prokuroria Speciale ka paraqitur një parashtresë duke kërkuar vazhdimin e paraburgimit të Pjetër Shalës, ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas Prokurorisë, vazhdimi i paraburgimit mbetet i nevojshëm dhe proporcional.

“Asnjë fakt apo rrethanë e re nuk ka ndërhyrë në gjendje ta ndryshojë këtë konstatim pasi që trupi gjykues e ka vënë në dukje atë në vendimin e dhjetë për paraburgim” – thuhet në parashtresë.

Prokuroria argumenton se ekziston rreziku që Pjetër Shala të arratiset, të pengojë procedurat, të kryejë krime të reja dhe të ndikojë në dëshmitarët dhe provat.

“Dyshimi i bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DSK) vazhdon të ekzistojë, dhe rreziqet që ai, nëse lirohet, do të arratiset, do të pengojë procedurat ose do të kryejë krime të tjera, duke përfshirë provat kundër dëshmitarëve që kanë ofruar prova në Prokurorinë Speciale (SPO) dhe/ose që do të paraqiten para Kolegjit të Specializuar të Kosovës (KSK) në të ardhmen, mbeten të larta” – shpjegohet në parashtresën e ZPS.

Prokuroria gjithashtu arsyeton se gjyqtari i procedurës paraprake, në aktvendimin konfirmues, konstatoi se ka dyshim të bazuar se i akuzuari ka kryer krime të shumta brenda juridiksionit të KSK-së.

“Pas vendimit të dhjetë për paraburgim, ka pasur zhvillime të reja procedurale që shtojnë rrezikun, si prezantimi i dëshmitarëve nga SPO që kanë dhënë dëshmi inkriminuese kundër të akuzuarit. Përveç kësaj, SPO do të paraqesë vazhdimisht dëshminë e një dëshmitari të kundërshtuar nga i akuzuari, në seancën e provave vivavoce” – thuhet në parashtresë.

Prokuroria më tej thekson se i akuzuari është akuzuar për katër akuza të krimeve të luftës dhe nëse dënohet, mund të përballet me një dënim të rëndë.

“Siç u përmend më lart, i akuzuari akuzohet për katër akuza për krime lufte dhe, nëse dënohet, mund të përballet me një dënim të gjatë. Më tej, në vazhdimin e prezantimit të provave të SPO-së dhe njohurinë e plotë të të akuzuarit për rastin ndaj tij rrisin rreziqet e pengimit dhe kryerjes së krimeve dhe së bashku me faktin se Trupi Gjykues tani mund të përdor deklaratat e mëparshme të të Akuzuarit për qëllime të gjykimit të tij, të rivendosë ekzistencën e largimit të rrezikut” – argumenton ZPS.

Bazuar në arsyet e lartpërmendura, Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Paneli që të urdhërojë që i akuzuari të mbetet në paraburgim.

Pjetër Shala i njohur me nofkën Komandant “Ujku” po akuzohet për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

Krimet për të cilat ngarkohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve

Gjykimi ndaj Shalës filloi më 21 shkurt 2023, me deklaratat hyrëse të palëve ndërsa ai nuk e ka pranuar fajësinë.

Artikujt e tjerë lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.