Prokuroria kërkon dënimin e ish kryeshefit të PTK-së Shyqri Haxha

Prokuroria e Prishtinës në fjalën përfundimtare ka kërkuar nga Gjykata dënimin e Shyqri Haxhës, ish-kryeshefit të PTK-së, i akuzuar se buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm mbi 9 milionë euro.

Haxhaj në cilësinë e kryeshefit të PTK-së atë kohë, nga Prokuroria po akuzohet për lidhjen e kontratës së dëmshme, pa aprovim paraprak të aksionarit më saktësisht pa aprovimin e Qeverisë së Kosovës.

“… kjo do të thotë se kontrata është nënshkruar pa aprovim nga aksionari, kur ka ardhur më datën 13 maj, lista e projekteve ky projekt nuk ka qenë i miratuar nga aksionari… I pandehuri në bazë të njohurive të tij nuk është dashtë me leju me u nënshkru kjo kontratë pasi që ka shkaku dëm në masë të madhe… Pas administrimit të provave u vërtetu se i pandehuri e ka kryer veprën penale dhe i kërkoj gjykatës që të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”- tha në fjalën përfundimtare prokuroria.

Kurse në anën tjetër mbrojtësit e të pandehurit Shyqri Haxha kërkuan lirimin e këtij të fundit pasi që sipas tyre lidhja e kontratës nga i pandehuri ka qenë nënshkrim formal pa asnjë efekt juridik.

“Lidhja e kontratës nga ana e të mbrojturit tonë ka qenë nënshkrimi i tij vetëm formal, pa asnjë efekt juridik, sepse të gjitha përgjegjësitë të lidhjes së kontratës… e ka pasur drejtori i prokurimit dhe kjo është vërtetuar edhe nga ekspertiza e gjykatës në seancën e djeshme… I kërkojmë gjykatës dhe i propozojmë që pas shqyrtimit të provave të nxjerrë aktgjykim lirues”- tha mbrojtësi i tij Xhevdet Smakiqi.

I njëjti tutje tha që të mbrojturit të tij për 12 vite i është shkaktuar dëm si në aspektin material ashtu edhe në atë jo-material.

“Mbrojta konsideron se ndaj Shyqri Haxhës është shkaktu një dëm i madh material dhe jo material… reputacioni i tij është dëmtu për këto 12 vite”- tha Xhevdet Smakiqi.

Kurse vet Haxha tha që nuk ndihet absolutisht fajtor përkundër asaj është krenar që ka munduar të implementoj një projekt të tillë ku do të përfitonin qytetarët.

“Unë absolutisht nuk ndihem fajtor përkundër që ndihem krenar që jam mundu me implementu këtë  projekt që do të zhvillonte PTK-në do t`i rriste vlerën e Telekomit do të përfitonin qytetarët”- tha Haxha.

Para fjalës përfundimtare i akuzuari ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes që e kishe filluar dje e ku ndër të tjera ai tha që dhënia e projektit për operatorin ‘Amdoks’ ishte bërë publike në gazetën zyrtare dhe se nënshkrimi që ky i fundit kishte dhënë ishte thjesht ceremonial.

“Pas aprovimit të të gjitha procedurave të prokurimit edhe nëse mund të them finalizimit të ekipeve të të dy palëve dhënia e këtij projekti për operatorin Amdoks është dhënë publikisht në gazetë ditore, pas nënshkrimit të drejtorit të prokurimit ka ardh në zyrën time për nënshkrim ceremonial… më është thënë se është veç formalitet se projekti është i kryer, është juridikisht në fuqi gjë që i referohet edhe ligjit të prokurimit në atë kohë”- tha Haxha gjatë dhënies së mbrojtjes.

Tutje Haxha tregoi që kur ishte bërë shkëputja e njëanëshme, ishte zbatuar vetëm vendimi i bordit sipas ligjit të ndërmarrjes publike dhe sipas informatave të Haxhës operatori ‘Amdoks’ nuk ka dashur ta padisë Telekomin në arbitrazh dhe se nga kjo e fundit kishte tentim me çdo kusht për vazhdim të punës mirëpo aksionari dhe bordi kanë refuzuar një gjë të tillë.

10 vjet pas lidhjes së kontratës 9-milionëshe, Prokuroria e Prishtinës në vitin 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, Shyqri Haxha, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale – lidhja e kontratës së dëmshme.

Sipas prokurorisë i akuzuari më 16 prill 2010, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojnë dëm material, duke mos marrë aprovimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ka lidhur kontratë për faturim të ri me ç’ rast i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së.

Ngase me kërkesë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën dhe është detyruar të paguajë shumën prej 9 milionë euro si dhe shpenzime tjera të cilat janë bërë lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate. Vlera e përgjithshme ka arritur në 9,891,022.81 euro.

 

Raportime të ngjashme nga KALLXO.com – LINK