Prizren: Burri akuzohet për vrasjen e gruas me 15 plumba

Në gushtin e vitit të kaluar, në lagjen Ortakoll në rrugën “Hysni Morina”, rreth orës 23:00, një grua kishte mbetur e vrarë nga plagët e armës së zjarrit, që ishte në posedim të bashkëshortit të saj.

Bajram Velija, bashkëshorti i të ndjerës ka qenë i dyshuari i vetëm, e sipas dyshimeve të Prokurorisë deri te ngjarja kishte ardhur pasi që bashkëshortja e të dyshuarit kishte kërkuar ndarjen nga ai.

(FOTO) Vendi ku ndodhi vrasja në Prizren

Prokuroria e Prizrenit sot ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit Bajram Velija për dy vepra penale, vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve.

Aktakuza thotë se më 6 gusht të vitit 2019 rreth orët 23:18 minuta, i akuzuari Bajram Velija me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij A.V, ndërsa deri te ngjarja ka ardhur pas një mosmarrëveshje paraprake që i akuzuari kishte me bashkëshorten e tij.

“Në momentin kur viktima largohet nga shtëpia e pandehuri pajiset me pistoletë të tipit “Pieto Berreta Gardone” dhe del nga shtëpia i afrohet tashmë të ndjerës A.V., e drejton pistoletën në drejtim të saj, duke shtënë 15 herë në drejtim të saj, me ç’rast të njëjtën e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit,” thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit.

Nga goditja e predhave viktima ishte rrëzuar për tokë dhe nga plagët e marra kishte vdekur në ven.

Prokuroria thotë se i pandehuri Bajram Velija, viktimën e kishte mbuluar me një fustan të saj dhe e kishte pritur ardhjen e policisë.

Në më pak se një vit, në Kosovë kanë ndodhur disa raste të rënda të vrasjeve, ku të dyshuarit dhe viktimat kishin raporte familjare të afërta.

Vrasja e pesëfishtë në Gjilan, Mjekësia Ligjore tërheq trupat e viktimave