Pranoi 2 mijë euro ryshfet për transferimin e një të burgosuri, gardiani dënohet me 1 vjet e 6 muaj burgim

Xhevat Blakaj është gjetur fajtor për akuzën se ka pranuar 2,000 euro për të transferuar një të burgosur nga pjesa e tipit të mbyllur në pjesën e Burgut të tipit gjysmë të hapur.

Ai po akuzohet për vepër penale ushtrim ndikimi.

Blakajt nga gjykata i është shqiptuar dënimi me burgim prej 1 vit e 6 muaj si dhe 1000 euro gjobë.

Në seancën e kaluar Blakaj është deklaruar fajtor për këtë vepër penale, por se gjykatësja e rastit, Violetë Husaj Rugova e kishte ndërprerë seancën për shkak se sipas saj duhet vlerësuar disa çështje shtuar këtu edhe thirrjen e të dëmtuarit.

Lidhur me këtë çështje KALLXO.com ka raportuar në seancën e kaluar.

Në seancën e sotme, ishte ftuar i dëmtuari A. H. i cili deklaroi se nuk ka kërkesë pasurore juridike.

Gjykatësja Husaj- Rugova përmes aktvendimit e ka aprovuar pranimin e fajësisë pas dëgjimit të avokatit Sali Mekaj dhe prokurores se rastit Sahide Gashi lidhur  me çështjen.

Dosja e Prokurorisë thotë se personi i cili ishte në vuajtje të dënimit në këtë Qendër, Ali Haxhishabani, i kishte njoftuar familjaret e tij se një oficer duke aluduar në të pandehurin Xhevat Blakaj, po i kërkonte shumën prej 2 mijë euro për ta transferuar prej një pjese në pjesën tjetër të Burgut.

Sipas Prokurorisë së Pejës, familjaret e të burgosurit e njoftojnë Policinë për këtë rast meqenëse nuk i kishin të hollat dhe kështu i pandehuri mbahet nën vëzhgimin e Policisë.

Me rastin e takimit të të pandehurit dhe dëshmitareve T. H. dhe Sh. H. ndodh edhe dorëzimi i të hollave prej 2 mijë euro. Dhe, pasi ndodh dorëzimi i të hollave reagon Policia, e cila e ndalon të dyshuarin dhe ia gjen të hollat në xhepin e pantallonave.

Këto të holla ishin siguruar nga fondi i fshehtë i Policisë, të cilave paraprakisht u ishin fotografuar e regjistruar numrat serikë.