ILUSTRIM Të burgosur në Burgun e Dubravës - Foto: KALLXO.com

Gardiani pranon se pranoi 2 mijë euro ryshfet për transferimin e një të burgosuri

Xhevat Blakaj ka pranuar fajësinë për akuzën se ka pranuar 2,000 euro për të transferuar një të burgosur nga pjesa e tipit të mbyllur në pjesën e Burgut të tipit gjysmë të hapur.

Blakaj që mbikëqyrës i ndërrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë po mbahet në paraburgim nga 20 gushti i këtij viti.

Ai po akuzohet për vepër penale ushtrim ndikimi.

“Po e pranoj fajësinë”, u deklarua i akuzuari pas konsultimit me mbrojtësin e tij, avokatin Sali Mekaj.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi u pajtua më pranimin e fajësisë së të akuzuarit duke thënë se pranimi është në përputhje me shkresat e lëndës.

Në anën tjetër avokati Sali Mekaj tha se pranimi i fajësisë nga klienti i tij është në përputhje me ligjin, por se gjendja shëndetësore e të mbrojturit të tij, pasojat që i ka shkaktuar paraburgimi në shëndet, ka ndikuar në vendimin e tij për të e pranuar fajësinë në trajtën siç e ka paraparë aktakuza.

Gjyqtarja e rastit, Violeta Husaj Rugova e ka ndërpre seancën për ditën e sotme për shkak se sipas saj duhet vlerësuar disa çështje shtuar këtu edhe thirrjen e të dëmtuarit.

Gjyqtarja në fillim të seancës i kërkoi prokurores të deklarohet se kush është i dëmtuar në këtë rast pasi që në propozim të aktakuzës janë evidentuar vetëm dëshmitarët.

Prokurorja Gashi tha se i dëmtuar sipas dispozitivit është A. H.

Ndryshe, avokati Mekaj kërkoi që klientit të tij të i ndërpritet paraburgimi me arsyetimin se pas ngritjes së aktakuzës ka ndryshuar cilësimi në kuptimin se nuk ka dyshim për kryerje të kësaj vepre penale në vazhdimësi, siç ka qenë më parë.

Mekaj shtoi se tash pas pranimit të fajësisë nuk ka mundësi që i akuzuari të ndikoj në dëshmitar e as për ndryshim të provave.

“Një fakt i ri që nuk e kam paraqit në kërkesë është edhe fakti se të akuzuarit i është përkeqësuar gjendja shëndetësore kështu që nuk ekziston më arsye për të qëndruar në paraburgim”, tha Mekaj.

Prokurorja tha se ka ende arsye për mbajtjen e tij në paraburgim.

“Nuk kanë pushuar kushtet nga neni 187 pika 2 për ndërprerje të masës”, tha nder tjera prokurorja.

Gjykatësja Husaj Rugova tha se të akuzuarit i vazhdohet paraburgimi për 10 ditë.

Seanca e radhës mbahet të hënën në ora 13:00.

Dosja e Prokurorisë thotë se personi i cili ishte në vuajtje të dënimit në këtë Qendër, Ali Haxhishabani, i kishte njoftuar familjaret e tij se një oficer duke aluduar në të pandehurin Xhevat Blakaj, po i kërkonte shumën prej 2 mijë euro për ta transferuar prej një pjese në pjesën tjetër të Burgut.

Sipas Prokurorisë së Pejës, familjaret e të burgosurit e njoftojnë Policinë për këtë rast meqenëse nuk i kishin të hollat dhe kështu i pandehuri mbahet nën vëzhgimin e Policisë.

Me rastin e takimit të të pandehurit dhe dëshmitareve T. H. dhe Sh. H. ndodh edhe dorëzimi i të hollave prej 2 mijë euro. Dhe, pasi ndodh dorëzimi i të hollave reagon Policia, e cila e ndalon të dyshuarin dhe ia gjen të hollat në xhepin e pantallonave.

Këto të holla ishin siguruar nga fondi i fshehtë i Policisë, të cilave paraprakisht u ishin fotografuar e regjistruar numrat serikë.