Ilustrim

Arrestohen të dyshuarit që mashtronin qytetarët për rregullimin e dokumenteve për viza pune

Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy persona të dyshuar për mashtrim.

Sipas policisë të dyshuarin janë arrestuar pasi kanë mashtruar disa persona duke u premtuar se do t’ua rregullojnë dokumentet për të punuar jashtë vendit, duke përfituar rreth 10 mijë euro.

Sipas njoftimit, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë ka arrestuar sot të dyshuarit B. K.,29 vjeçar dhe B. E., 33 vjeçar, të cilët dyshohet të kenë marrë nga persona të ndryshëm, shuma të caktuara parash që në total arrijnë vlerën rreth 10 mijë euro, duke u premtuar atyre se do të ua rregullonte dokumentet për të punuar jashtë vendit.

“Mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka  ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimi mund të ketë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë  të gjatë kohore  dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga i dyshuari mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar deri tani”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, deri tani në polici si viktima të këtij mashtrimi janë paraqitur pesë persona,  andaj marrë në konsideratë këtë fakt, policia  ka kërkuar nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për të ndihmuar policinë drejt hetimit përfundimtar.

“Pas arrestimit dhe marrjes së autorizimit nga ana e prokurorit, personat e dyshuar janë dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale, para se rasti të kaloj në institucionet kompetente”, njofton policia.