Arrestohet një person në Klinë, një tjetër në arrati - Dyshohen se kërkuan para për të ndihmuar Nezir Mehmetajn

Një person është arrestuar në flagrancë deri sa pranonte një shumë prej 500 eurosh nga një organizatë në lidhje me një rast.

Nën arsyetimin se do të ndihmonte Nezir Mehmetajn, personi i arrestuar dyshohet se kërkoi mijëra euro nga një organizatë.

Nezir Mehmetaj, ishte arrestuar në janar të vitit 2020 në pikën kufitare në Merdare nën dyshimet ka kryer krime të luftës gjatë vitit 1999 në fshatin e tij të lindjes.

Nezir Mehmetaj kishte një urdhër-arrest aktiv nën dyshimet se si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në qytetin e Klinës, kishte marrë pjesë në vrasjen dhe maltretimin e të paktën shtatë personave, përfshirë serbë dhe romë.

Policia nën urdhrat dhe koordinimin me Prokurorinë Themelore të Pejës gjatë ditës së sotme, 13.02.2024, zbarkoi në një lokal në Klinë për të arrestuar personin e dyshuar për veprën penale të mashtrimit.

I njëjti kishte tentuar që të mashtronte organizatën për përfitime të tij personale.

Përveç këtij të dyshuari, aktualisht policia është vënë në kërkim edhe të një personi tjetër për të njëjtën çështje.

Siç ka mësuar KALLXO.com i dyshuari i arrestuar kishte kërkuar një shumë prej 6 mijë eurosh nga një organizatë kinse për të ndihmuar Mehmetajn i cili aktualisht gjendet nën masën e paraburgimit në Serbi.

Në një rast të simuluar, i dyshuari ka pranuar që të dalë me përfaqësues të organizatës që u ka kërkuar të hollat dhe më pas nga të njëjtit kishte pranuar një vlerë prej 500 eurove.

Menjëherë pas këtyre veprimeve të dyshimta i njëjti është arrestuar nga organet e rendit.

KALLXO.com mëson se i dyshuari është nga Presheva.