Bastoret, ilustrim

Organizimi i paligjshëm i bixhozit në Prishtinë, rasti zvarritet në gjykatë që nga 2018-ta

Pronari dhe menaxheri i një pikë ku zhvilloje aktivitet ilegal i bixhozit janë duke u përballur në Gjykatën Themelore të Prishtinës për posedim të aparateve të lojërave të fatit pa certifikatë të biznesit dhe leje.

Seanca e paracaktuar të mbahej për sot dështoi të mbahet për shkak të mungesës së dy të akuzuarve, Valon Konjusha dhe Ruzhdi Ramadani.

Avokatja e të akuzuarit Valon Konjusha, Marigona Berisha deklaroi se klienti i saj nuk mund të ishte prezent në seancën e sotme për shkak të një situatë në familjen e tij.

Kurse, avokati i të akuzuarit Ruzhdi Ramadani, Zenel Kelmendi tha se me klientin e tij nuk ka komunikuar dhe se nuk është i njoftuar për shkaqet e mungesës së tij.

Për këtë të akuzuar, gjyqtari i çështjes Eroll Gashi  tha se i njëjti ka qenë i njoftuar për mbajtjen e seancës së sotme, sipas procesverbalit të seancës së datës 18 korrik të këtij viti.

Gjyqtari njoftoi palët prezentë se i akuzuari Ramadani  do të sillet me detyrim përmes urdhër-arrestit.

Prokurori i çështjes Ali Ajdini, ishte prezent në seancën kurse para tij prokuror kishte qenë Atdhe Dema.

Sipas dosjes së prokurorisë të ngritur më 23 maj të vitit 2018,  të pandehurit kanë organizuar dhe ndihmuar organizmin e lojërave të fatit në bastoren e pa licensuar “Pro-Bet”.

Në këtë bastore, kanë inspektuar zyrtarët e ATK-së në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dhe në bazë të kontrollit kanë gjetur se këta persona nuk kanë pasur të drejtë për t’i pasur aparatet e lojërave të fatit të cilat kanë qenë në bastoren e tyre.

Seanca e ardhshme për këtë rast pritet të mbahet më 19 shtator të këtij viti.

Kodi Penal dënon këtë vepër me burgim prej 6 muajsh deri në 5 vite.

Kurse dënimi shkon deri në 12 vite kur vepra penale e kryer rezulton me humbje ose fitim që kalon shumën prej 25 mijë eurosh.

“Skemë piramidale” sipas këtij Kodi nënkupton do të thotë ofertën apo planin për investim mashtrues, ku paratë e kontribuara nga investitorët e mëvonshëm përdorën drejtpërdrejtë për të paguar ose ripaguar interesin ose bazën e investitorëve të mëhershëm, pa ndonjë veprimtari operative apo që prodhon burime të të ardhurave, përveç grumbullimit të vazhdueshëm të fondeve të reja.