Seanca 20.11.2023, Foto:KALLXO.com

Qiradhënësi i lokaleve ku luhej bixhozi i paligjshëm: 'Nuk i kam rujtë çka kanë bo'

Në gjykimin ku akuzohen Skënder Fetaj, Arian Kastrati, Driton Haxhija, Ramadan Latifi, Burim Ismaili, Fisnik Ibishi dhe Ramadan Ibishi, për organizim të lojërave të fatit po vazhdojnë të dëgjohen dëshmitarë.

Në seancën e së hënës u dëgjua dëshmitari Xh. C.  i cili kishte qenë qiradhënës i lokalave ku kryheshin veprimtari ilegale të lojërave të fatit dhe i njëjti tha se nuk kishte qenë në dijeni për veprimtarinë që zhvillohej brenda lokaleve nga të cilat merrte qera.

“Kur ka ardhë policia e kam kuptu që kanë qenë të kundërligjshme, unë nuk i kam rujt çka kanë bo” – tha dëshmitari para trupit gjykues.

Ai tha se i akuzuari Ramadan Latifi ka shkuar tek ai dhe i ka thënë se nuk kanë qenë tabelat e pokerit të tijat, por të personi me inicialet I. S., e kështu dëshmitari i kishte thënë edhe policisë.

Qeranë ai tha se e merrte nga ky person me këto iniciale, kurse për të akuzuarin tha se nuk e kishte pasur ndonjëherë qiramarrës dhe e kishte parë vetëm pasi kishte ndodhur rasti.

Tutje ai dëshmoi se kishte pasur 2 lokale të cilat i kishte dhënë me qera dhe një magazinë, kurse I. S. i kishte thënë dëshmitarit të thoshte se ishin në emër të vëllait të tij të vdekur.

Rasti po gjykohet nga Valon Kurtaj kryetar i trupit gjykues, dhe anëtarët Valbonë Selimaj e Musa Konxheli.

Çka thotë aktakuza për këtë rast?

Skënder Fetaj, Arian Kastrati dhe Driton Haxhija, akuzohen se që nga shkurti i 2015 deri në dhjetor të vitit 2016 kanë organizuar ose marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit.

Ata akuzohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 253,680.00 euro.

Fetaj edhe pse kishte licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën e në menaxhimin e së cilës vepronin edhe Arian Kastrati e Driton Haxhija, sipas Prokurorisë me qëllim kanë organizuar lojëra të fatit në kundërshtim me ligjin.

Aktakuza thotë se të akuzuarit duke siguruar numra serik të dublifikuar-falsifikuar të ruletëve dhe të aparateve të automateve i kanë vendosur në pika të ndryshme ku edhe kanë krijuar përfitime të kundërligjshme pasi kanë qenë pa licencë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Ramadan Ibishi deri sa ka qenë në orar të punës në cilësinë e inspektorit të lartë në ATK, ia ka përcjellë informatat zyrtare se kur do të kryhen kontrollet nga inspektorët e ATK-së, birit të tij, Fisnik Ibishit.

Kështu sipas Prokurorisë i akuzuari, Fisnik Ibishi i ka njoftuar menaxherët e bizneseve të lojërave të fatit për vendin e kontrolleve.

Ai këtë e bënte duke përdorur fjalët – “jam në Qytetin e Gjakovës, jam në Qytetin e Gjilanit, etj. A ke kohë për kafe?”. Kështu sipas Prokurorisë i akuzuari i ka njoftuar se në cilat qytete ka dalë kontrolla.

Ndërsa Ramadan Latifin, Arian Kastratin, Driton Haxhijën dhe Burim Ismailin Prokuroria i akuzon se në fillim të vitit 2016 deri në dhjetor të vitit 2016 në vende të ndryshme në Kosovë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kanë organizuar lojëra të fatit të cilat janë të ndaluara me ligjin për lojëra të fatit ashtu që në njësitë e bastores sportive “Planet Ëin 365”, pronë e Ramadan Latifit, pas koordinimit në mes vete kanë blerë programin për lojëra “KENO” dhe “Lojëra me QEN” dhe përmes një personi të quajtur Hekuran, këto lojëra i kanë instaluar në kompjuterë të bastores në vende që ka më pak kontroll si në Drenas, Hajvali dhe në fshatra të rrethit të Pejës dhe Deçanit.

Dëshmitari i sotëm, tha se nuk ka dëgjuar për këtë person me emin Hekuran, kur u pyet nga prokurori special Shpëtim Peci.

Të pandehurit po ashtu akuzohen se kanë zhvilluar aktivitete në bastoret sportive në pika të pa licensuara nga ATK-ja, kanë mbajtur tavolina të pokerit të cilat janë të ndaluara në Kosovë

Me rastin e kontrollit janë gjetur gjashtëmbëdhjetë njësi të pa licencuara ndërsa aktakuza thotë se me këtë rast, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm prej 93,400.00 euro.

Të pandehurit Ramadan Latifi, sipas aktakuzës, në shtëpinë e tij në Gjilan i janë gjetur një revole e markës “Herma Ëerk”, një armë gjuetie e markës “Ëinchester” dhe 435 copë fishekë të armës së gjuetisë dhe revoles.