20 vjet burgim të akuzuarit për vrasje në veri të Mitrovicës

Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me 20 vjet burgim të akuzuarin Miqa Urosheviq.

I njëjti nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohej për tri vepra penale atë të vrasjes, amrëbajtjes pa leje dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.

Ndaj tij trupi gjykues në përbërje të Tomislav Petroviq, kryetar dhe Beqir Halili e Radoslav Markoviq anëtarë, shpalli aktgjykim dënues.

Urosheviq u dënua me 15 vjet burg për vrasje, ndërsa me nga 3 vjet për armëmbajtje dhe legalizim. Kurse iu shpall dënimi unik prej 20 vjet burgim.

Gjykata ka urdhëruar konfiskimin e armës, kurse masa e paraburgimit do t`i llogaritet deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë në Mitrovicë Miqa Urosheviq, akuzohet se në dhjetor të vitit 2017, në veri të Mitrovicës me dashje ka privuar nga jeta të dëmtuarin, tani të ndjerin Dejan Steljiq.

Vrasja ishte kryer pas një fjalosje, ku i akuzuari Urosheviq i pajisur me armë në të cilën ka pasur pesë fishekë, ka shtënë pesë herë në të ndjerin Dejan Steliq, i cili nga predhat është goditur katër herë në trup duke pësuar plagë të rënda trupore nga të cilat ka mbetur i vdekur, thuhet në akuzë.

Me këtë ai akuzohej se ka kryer veprën penale të vrasjes.

I akuzuari Urosheviq nga Prokuroria e Mitrovicës ngarkohej edhe për kryerjen e veprës penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Përveq për dy veprat e lartëcekura Miqa Urosheviq akuzohej edhe për legalizim i përmbajtjes së rreme.

Këtë vepër ai e kishte kryer në gusht të viti 2014 derisa kishte vënë në lajthim personin zyrtar, Hamdi Ademi, zëvendëskoordinator në zyrën administrative në Lagjen e Boshnjakëve, për t`u pajisur me letërnjoftim ka prezantuar ekstraktin e lindjes në emër të Darko Peroviq, me shënime ekzakte si në ekstraktin e lindjes të lëshuar më 25 maj 2014 nga zyra e gjendjes civile në Zubin Potok.

Ai më pas ishte fotografuar dhe i është lëshuar letërnjoftimi i Republikës së Kosovës në emër të Darko Peroviq.

Për këtë vepër penale i akuzuari Urosheviq kishte pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 13 nëntor 2018 ndërsa vendimi edhe për këtë vepër ju shqiptua sot.

Përveç kësaj, në aktakuzën e Prokurorisë së Mitrovicës, thuhet se i akuzuari Miqa Urosheviq, më parë ka qenë i gjykuar në Republikën e Serbisë, në Gjykatën e Lartë në Nish, për  kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” dhe “prodhim i palejuar, mbajtje, posedim i armëve dhe materieve eksplozive”, ku thuhet se është dënuar me 20 vite burgim.