Rinor Hykolli. Foto: Instagram

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj menaxherit të Taynas dhe një personi tjetër

Rinor Hykolli, biznesmen dhe menaxher i këngëtares Tayna, do të përballet me drejtësinë për shkak se ndaj tij është ngritur aktakuzë në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 22 korrik të këtij viti, në diskotekën “Stop” në Gjilan.

Hykolli po akuzohet për lëndim të rëndë trupor, ndërsa përveç tij prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj një personi tjetër me inicialet Sh.Xh.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, i pandehuri Rinor Hykolli, më 22 korrik 2021, rreth orës 00:40 minuta, në diskotekën ‘Stop’, në Gjilan, me dhunë, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B., duke e goditur me dorezë të revoles në pjesën e pasme të kokës, e më pas e ka goditur me grushte në kokë e pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat i njëjti ka kërkuar tretman mjekësor.

I pandehuri Hykolli, sipas kërkesës së prokurorisë gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 3 tetor, dhe me rastin e ngritjes së aktakuzës është propozuar që të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit.

Ndërsa, sipas prokurorisë i pandehuri Sh.Xh., me dashje ka ndihmuar në kryerjen e kësaj vepre penale, dhe në marrëveshje paraprake me të pandehurin R.H., e thërret të dëmtuarin L.B., duke e dërguar në vendin ku është kryer vepra penale.

KALLXO.com pati raportuar në lidhje me njoftimin e Policisë së Kosovës, në atë kohë Hykolli kërkohej për të njëjtin rast.

Në një bisedë telefonike, Hykolli pati thënë se kur të kthehej në Kosovë do të dorëzohej te organet e rendit.

Flet për KALLXO.com biznesmeni Rinor Hykolli: Do të lajmërohem vetë në Polici