Kosovari i plagosur në ISIS dënohet me burg në Prishtinë

Arijan Krujezi, i cili në korrik të vitit 2014 ishte nisur drejt Sirisë për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS, është dënuar sot nga gjykata në Prishtinë me 3 vjet e 8 muaj burg pasi u gjet fajtor në akuzën për terrorizëm.

Paraprakisht, Krujezi e kishte pranuar fajësinë në akuzat e Prokurorisë Speciale.

Në këtë aktakuzë thuhet se Arijan Krujezi gjatë korrikut të vitit 2014, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake, kishte lëshuar territorin e Kosovës për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS në Siri.

Sipas aktakuzës, Krujezi kishte udhëtuar nga Aeroporti i Prishtinës drejt Stambollit dhe më pas, me një linjë të autobusit kishte arritur në qytetin turk Gaziantep, afër kufirit me Sirinë ku, sipas udhëzimeve të ISIS-it, ishte vendosur në një shtëpi bashkë me disa persona tjerë për ta kaluar pas disa ditësh kufirin në këmbë drejt Sirisë.

Prokuroria thotë se Krujezi i ishte bashkuar ISIS-it në qytetin sirian Raqa ku kishte vijuar trajnimet taktike dhe luftarake me armë të zjarrta pastaj ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë fillimisht si anëtar i batalionit “Abu Musab Zarqaëi”, e që në tetor të vitit 2015 ishte transferuar në batalionin “Umar Hattab” në Damask.

Aktakuza gjithashtu thotë se në pranverë të vitit 2016, gjatë një sulmi në aeroportin ushtarak “AL-DAMAY”, përderisa ishte me automjet me pjesëtarë të tjerë të ISIS-it, Krujezi kishte hasur në një minë tokësore ku është plagosur rëndë në kokë dhe pas 4 muajve qëndrimi në spital është aktivizuar në policinë ushtarake të ISIS-it.

Më 29 dhjetor 2017, ai ishte arrestuar nga Forcat Demokratike Siriane ku kishte qëndruar deri më 19 prill të vitit të kaluar kur ishte riatdhesuar në Kosovë bashkë me mbi 100 kosovarë të tjerë.