Të akuzuarit Millun Millenkoviq, Aleksandër Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq

Katër serbët e akuzuar për terrorizëm deklarohen në gjykatë nëse e pranojnë fajësinë

Nën akuza për sulm terrorist me granata dore dhe shok bomba në drejtim të zyrave të KQZ-së, Millun Millenkoviq i njohur si “Llune”, Aleksandër Vllajiq, Dejan Pantiq e Miomir Vakiq dolën para Gjykatës së Prishtinës.

Në deklarimin e tyre, asnjëri nuk e pranoi fajësinë.

Në shqyrtimin fillestar prokurori i rastit, Afrim Shefkiu duke lexuar aktakuzën ka shpjeguar veprimet të cilat i inkriminojnë katër të akuzuarit.

“Me 6 Dhjetor 2022 në zyrat e komisionit komunal zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në rrugën “Kollashinska” me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, të detyrimit të padrejtë të një organi public, në këtë rast KQZ-së, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës përderisa zyrtarët e KQZ-së së bashku me zyrtarët policorë kanë shkuar për të hapur zyrën këta të pandehur me persona të tjerë ende të paidentifikuar kanë kryer sulm terrorist duke hedhur 2 granata dore si dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së lartpërmendur” – shpjegoi ndër të tjera prokurori special Afrim Shefkiu.

Sipas aktakuzës të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale kryerja e veprës terroriste.

E këto veprime po pretendohet të kenë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si dhe të kenë rrezikuar seriozisht jetën e zyrtarëve policorë dhe atyre të KQZ-së.

Gjyqtari Valon Kurtaj i pyeti të akuzuarit nëse e pranojnë fajësinë për të cilën akuzohen.

Të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

“Jo, konsideroj që nuk jam fajtor” – deklaroi i akuzuari, Millun Millenkoviq.

“Jo [nuk e pranoj fajësinë për të cilën akuzohen]” – u deklarua i akuzuari, Aleksandër Vllajiq.

“Absolutisht nuk jam fajtor” – deklaroi i akuzuari Dejan Pantiq.

“Jo nuk ndjehem fajtor” – deklaroi i akuzuari Miomir Vakiç.

Pas kësaj gjyqtari i rastit i njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, përkatësisht mbrojtësin e “Llunes”-s Avokatin Ljubinko Todoreviq, mbrojtësin e Aleksandër Vlajiq Avokatin Millosh Deleviq, mbrojtësin e Dejan Pantiq Avokatin Ljubomir Pantoviq, mbrojtësin e Miomir Vakiç Avokatin Dejan Vasiq lidhur me ndryshimin e fundit në ligjin penal.

“Me Kodin e Procedurës Penale gjykatës i është dhënë mundësia e gjykimit në mungesë” – tha gjyqtari Valon Kurtaj.

Mëtutje i njëjti shpjegoi risitë legjislative të parapara me nenin 303 të Kodit të Procedurës Penale dhe mundësisë që të njëjtit të gjykohen në mungesë nëse nuk i përgjigjen ftesave të gjykatës.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni në LINK.