Ish gjyaktësja Drita Hoxha tregon nëse kishte lëshuar urdhër për bastijen e lokalit të Enver Sekiraqës

Ish-Gjyqtarja e çështjes paraprake dëshmon që nuk kishte njohuri për urdhërin e bastisjes së lokalit Sekiraqa

Ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarëve në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për veprën penale të nxitjes së vrasjes së rëndë.

Në seancën e sotme ka dëshmuar Drita Hoxha, ish gjyqtarja e procedurës paraprake.

Drita Hoxha në seancën e sotme deklaroi se i qëndron prapa deklaratës së saj të dhënë me 17 gusht 2015.

Ajo sot deklaroi që urdhëri i bastisjes së lokalit Sekiraqa është bërë pa dijeninë e saj dhe se është bërë me nguti nga policia.

“Aty ku nuk figuron emri jem nuk e kisha lëshu, këtu policia ka hyrë me një nguti, por unë kam analizuar këtë çështje, me nguti ka hyrë në lokalin në fjalë ‘Bar Sekiraqa’, kanë harru për me kërku urdhërin verbal për bastisje. Me mua nuk ka kontaktu në lidhje me këtë bastisje, sepse edhe ju e shikoni se tri bastisje janë kryer në mënyrë të rregullt sipas ligjit, ndërsa ky procesverbal është përpiluar vetëm hajt ta kem një farë mbulese”, dëshmoj Drita Hoxha.

Prokurori Haki Gecaj pyeti dëshmitaren nëse për rastin konkret ka kundërshtuar marrjen e provave në këtë mënyrë.

“Nëse ju keni qenë gjyqtare e procedurës paraprake deri në vitin 2018, a keni dhënë vërejtje, a e keni kundërshtu këtë mënyrë të sigurimit të provave në rastin konkret?”.

Dëshmitarja Drita Hoxha në këtë pyetje u përgjigj se në rastin konkret kërkesa nuk ka shkuar tek ajo dhe se ajo nuk ka pasur se çka të kundërshtoj.

Prokurori i rastit Haki Gecaj pyeti dëshmitaren se në çfarë mënyre dhe kur është njoftuar për rastin e vrasjes së policit Triumf Riza?

Ajo tha se për këtë rasti i ka shkuar lënda zyrtarisht gjithashtu ka qenë rast mediatik dhe rast i rëndë.

Avokatja Kelmendi pyeti dëshmitaren: “Në situata të tilla ju do të lëshonit urdhëresë retroaktive të cilën do ta nënshkruanit, a do të ishte ajo urdhëresë që nga momenti kur ju do ta lëshoni si pjesë e shkresave të lëndës?”.

“Sigurisht që ajo urdhëresë e përpiluar me shkrim do të ishte pjesë e shkresave të lëndës dhe një kopje do të ju dorëzohet prokurorit”, u përgjigj Hoxha.

Tutje pyetje i parashtruan edhe anëtarët e trupit gjykues ku gjyqtarja Medije Bytyqi pyeti dëshmitaren: “Si gjyqtare e procedurës paraprake kompetente, vendimet që keni marr në rastin konkret a i keni mbështetur në shkresat e lëndës”.

“Patjetër që i kam mbështetur”, u përgjigj Hoxha.

“A keni hasur në parregullsi në ato procesverbale të rastit konkret”, shtoi Bytyqi.

“Nuk me kujtohet”, u përgjigj Hoxha.

“Gjatë përvojës tënde si gjyqtare e procedurës paraprake a keni hasur në shkresa që është marrë në kundërshtim me ligjin”, pyeti anëtarja e trupit gjykues, Bytyqi.

Drita Hoxha u deklarua “Nuk e di”.

Tutje pyetje dëshmitares i parashtroi edhe kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi. Ai pyeti dëshmitaren “Në rast se gjyqtari  i procedurës paraprake ka dhënë pëlqimin për urdhër verbal, por prokurori nuk e ka përpiluar kërkesën për lëshimin e urdhrit retroaktiv për bastisje, provat e mbledhura gjatë bastisjes dhe kontrollit të shtëpisë a do të konsideroheshin si prova të pranueshme?”.

Drita Hoxha u përgjigj se “Ato janë prova të papranueshme”.

Në seancën e sotme, mbrojtja e të akuzuarit Enver Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi ka kërkuar përsëri nga trupi gjykues që të ndërpritet masa e paraburgimit për të pandehurin dhe që e njëjta të zëvendësohet me arrest shtëpiak.

Prokurori Haki Gecaj ka kundërshtuar propozimin e avokates së të pandehurit.

Gjykata mori aktvendim që edhe më tutje të mbetet në fuqi aktvendimi më të cilën i është vazhduar paraburgimi të pandehurit edhe për dy muaj.

Seanca e radhës do të mbahet më datë 7 dhe 8 tetor 2021 ku do të dëshmojnë Adelina, Ema dhe Zanfina Ismaili, si dhe Kaltrina Berisha.

Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, e që sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vet i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.

Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë.

Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.

“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë veten nuk e ndjej fajtor se unë Triumfin e kam vra për arsye të mia dhe e kam cekur edhe në deklarata dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, kishte thënë Berisha.

Për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.