I kërkonin shtetasit të huaj 500 mijë euro, arrestohen tre persona në Pejë

Katër persona kanë përfunduar në pranga në një operacion të drejtuar nga Prokuroria në Pejë, ka bërë të ditur sot prokurori Astrit Gashi, në një konferencë për shtyp.

Ata janë të dyshuar për veprat penale të mashtrimit në bashkëkryerje dhe të detyrimit.

Rasti i parë, sipas prokurorit Gashi, ka të bëjë me një veturë qe përmes mashtrimit ishte sjellë nga Mitrovica në Pejë.

“Personat janë arrestuar dhe është paraqitur kërkesë për paraburgim, është mbajtur seanca dëgjimore dhe jemi në pritje të një vendimi nga gjykata”, tha prokurori Gashi.

Ai shtoi se po ashtu lidhur me një rast janë ndërmarrë veprime hetimore për detyrim dhe kanosje pasi fillimisht është dyshuar se ndaj një shtetasi të huaj në rajonin e Pejës, disa persona kanë kërkuar shumën prej 500 mijë eurove.

Gashi tha se prokuroria ka arritur të arrestojë 3 persona shtetas të një shteti fqinj, që janë kapur në flagrancë më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore prej 500 mijë eurove.

“Ndaj tyre është paraqitur kërkesa për caktim të paraburgimit”, tha prokurori Gashi.

Në këtë konferencë, Prokuroria në Pejë prezantoi edhe rezultatet e punës gjatë vitit 2019.