I dënuari për vrasje në Gjilan transferohet në Dyz për shkak të familjarizimit

Liridon Uruqi i dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e ndodhur në korrik të vitit të kaluar në fshatin Bresalc të Gjilanit është transferuar në Burgun e Dyzit.

Në prill, Uruqi ishte dënuar me 25 vjet për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Florent Gashi, zëdhënës në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se deri më 20 nëntor të vitit të kaluar, Uruqi ka qëndruar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, pastaj ishte transferuar në Burgun e Prizrenit ndërsa vetëm pak ditë pas shpalljes së vendimit të dënimit, ai ishte transferuar për në Burgun e Sigurisë së Lartë (Burgu i Dyzit) ku po qëndron edhe tani.

Në anën tjetër KALLXO.com merr vesh se transferimi i parë i Uruqit ka ndodhur pasi që në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan ka punuar një familjar i tij dhe se kjo ka bërë që Gjykata të vendosë për transferimin e tij.

Gjykata në Gjilan e ka dënuar Uruqin me 25 vjet burg në prill të këtij pasi akuzohej për vrasjen e ndodhur në korrik të vitit të kaluar në fshatin Bresalc të Gjilanit.

Uruqi akuzohej se më 28 korrik të vitit të kaluar në fshatin Bresalc të Gjilanit ka qëlluar për vdekje Fatlind Arifin.

Në njoftimin e Gjykatës në Gjilan thuhet se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve, trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues, vrasje i ka shqiptuar dënim 23 vite burgim, për kanosje i  ka shqiptuar dënim prej 2 vite burgim dhe për veprën armëmbajtje pa leje i ka shqiptuar 1 vit burg.

Si kishte ndodhur vrasja?

Në një aktakuzë prej 18 faqeve është përshkruar në detaje vrasja e cila ndodhi në fshatin Bresalc të komunës së Gjilanit.

Siç përshkruhet në aktakuzë gjithçka kishte nisur kur më 28 korrik rreth orës 23:10 minuta i pandehuri me veprim të drejtpërdrejtë, ka privuar nga jeta Fatlind Arifin, të cilin prej një largësie prej 1.5 metra kishte nxjerrë nga brezi një armë të tipit TT dhe e kishte gjuajtur të ndjerin në anën e majtë të kraharorit duke i shkaktuar plagë tejshpuese.

Sipas aktakuzës, të pranishëm në këtë ngjarje kanë qenë edhe shtatë persona të tjerë, tre prej tyre dëshmitarë, të cilëve i pandehuri u kishte drejtuar armën dhe ngrehur këmbëzën por ajo nuk ishte shkrepur.

Arma të cilën i pandehuri Liridon Uruqi e kishte përdorur për të vrarë Fatlind Arifin e kërcënuar dëshmitarët, sipas Prokurorisë, po mbahej pa leje.

Gjithmonë sipas aktakuzës, e cila është siguruar nga KALLXO.com, thuhet se babai i të vrarit Fatlind Arifi, në dëshminë që ka dhënë në prokurori, ka thënë se natën kritike ka qenë në shtëpi dhe rreth orës 2:00 pas mesnate ka shkuar djali i axhës së tij ku ky i fundit paraprakisht kishte lajmëruar në telefon babanë e Fatlind Arifit dhe e kishte lajmëruar se i njëjti kishte bërë aksident me veturë.

Ai tregon tutje në deklaratë se ai dhe bashkëshortja e tij kanë marrë nga një injeksion para se ta marrin vesh se djali i tyre Fatlind Arifi ishte vrarë.

Në deklaratën e dhënë për Prokurorinë, babai i Fatlind Arifit ka thënë se gjithmonë i ka kërkuar djalit të tij të ketë kujdes dhe se i njëjti nuk ka pasur probleme me ndonjë person.

Në deklaratë thuhet edhe se Fatlind Arifi para një viti e gjysmë kishte punuar tek i pandehuri Liridon Uruqi, për të cilën punë, familja i kishte thënë të largohet me arsyetimin se i pandehuri është problematik.

Njëri nga dëshmitarët, i cili natën kritike kishte qenë në vendin e ngjarjes, ka dëshmuar se çka dhe si kishte nisur i gjithë rasti.

Gjithmonë sipas aktakuzës, dëshmitari ka rrëfyer se në fillim i pandehuri i ka drejtuar armën në ballë një dëshmitarit tjetër, i cili ka qenë afër viktimës.

Dëshmitari tregon se i vrari Fatlind Arifi pasi ishte qëlluar me armë, kishte thënë: “O kuku mu më rroki”, ndërsa i pandehuri Liridon Uruqi kishte vrapuar për ta marrë veturën për ta dërguar tanimë të vrarin Fatlindin në spital.

Dëshmitari tregon se si pas të shtënave është fshehur pas gurit ndërsa tregon se si Fatlind Arifi ka thënë fjalët e fundit: “O mua më rroke pasha Zotin”.

Në deklaratën e një dëshmitari tjetër sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, thuhet se ishte i pandehuri Liridon Uruqi kur kishte shtënë me armë zjarri kishte pyetur: “Kënd e rroka?” e viktima Fatlind Arifi është shprehur që “më rroke mua”.

Përshkrimi i vrasjes tragjike dhe fjalët e fundit të viktimës

Dënohet Liridon Uruqi për vrasjen në Bresalc