I akuzuari për 'veteran të rrejshëm' në Gjilan, ballafaqohet me deklaratat e dëshmitarëve në Gjykatë

I akuzuar për legalizim të përmbajtjes së rreme, Florim Aliu ka dalur para Gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, Florim Aliu, më 17.11.2015 e deri më sot (kohën e ngritjes së aktakuzës), pa ndërprerë në Gjilan, e ka vënë në lajthim organin zyrtar kompetent-Komisionin Qeveritar të Republikës së Kosovës, për ta vërtetuar një çështje të pa vërtetë.

Tutje sipas Prokurorisë i akuzuari, në vazhdimësi po e mbanë në lajthim edhe Ministrinë për Mirëqenje Sociale në Prishtinë, ashtu që aplikacionin blanko me numër serik 29679 të dedikuar vetëm për pjesëmarrësit aktiv në UÇK-së, e ka plotësuar me të dhëna të pa vërteta, kinse i njëjti nga data 14.04.1999 e deri më date 15.06.1999 ka qenë ushtar aktiv në Zonën Operative të Karadakut, i angazhuar në aktivitete ushtarake të logjistikes.

Gjithnji sipas aktit akuzues, i akuzuari si dëshmi në aplikacion ka evidentuar personat përgjegjes të tijë, dhe këtë aplikacion e ka dorëzuar ne Shoqatën e veteraneve të luftes në Gjilan, e nga aty aplikacioni është dorëzuar në Komisionin Qeveritar në Prishtinë, duke e vu të njëjtin në lajthim, ashtu që i akuzuari e ka dëmtuar buxhetin e Republikes se Kosovës në shumën prej 8,840.00€.

Ai nga Prokuroria po akuzohet se nga legalizimi i rremë që e ka bërë, e ka fituar statusin e veteranit të luftës së UÇK-së.

Tutje, pas leximit të aktakuzës nga Prokurori, i akuzuari tha se nuk e pranon fajësinë pasi ka qenë ushtar i UÇK-së dhe se nuk e ndien veten fajtorë.

Duke dhënë fjalën hyrëse, prokurori Halim Borovci tha se Prokuroria e ka ngritur aktin akuzues bazuar në prova, siç janë shkresat zyrtare nga Prokuroria Speciale.

Gjithashtu, prokurori tha se bazuar edhe në provat tjera të cilat gjenden në shkresat e lëndës deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se i akuzuari Florim Aliu, e ka kryer veprën penale me të cilen ngarkohet.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Fadil Sinanaj tha se e kundërshton aktin akuzues, pasi sipas tij provat e propozuara nga prokurori nuk do të mund të vertetojnë fajësinë e të akuzuarit.

Tutje në seancë, u dëgjua dëshmitari Fahredin Beqiri, i cili tha se ka qenë pjesë e UÇK-së, që nga viti 1998. Detyrat kryesore të miat kanë qenë përgjegjës i një pike ushtarake e cila i ka përfshirë tri lagje.

“Më 15 prill 1999, kur edhe ka ndodhur ofenziva e cila ka zgjatur dy ditë unë nuk e kam ditur se kush ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Unë nuk e kam parë Florim Aliun që ka qenë i angazhuar ushtarakisht në pjesën ku unë kam qenë i angazhuar. Dua të shtoj se për të qenë ushtar në njesitin tim është dashur të kryhen disa obligime. Personi me emrin Veli Veliu, ka pasur të drejtë të bëjë pranimin e ushtarëve të ri pasi unë e kam lejuar atë”, tha dëshmitari Fahredin Beqiri.

Tutje tha se nuk kanë pasur as armatim të mjaftueshëm, e as uniforma me simbolet e UÇK-së. Gjithashtu tha se e konsideron pjestarë të UÇK-së edhe një ushtarë i cili nuk ka pasur uniformë me emblemë.

Pas propozimeve për dëshmitarë të tjerë, seanca e sotme do të vazhdohet më 21 dhjetor 2021.