I akuzuari në izolim shkaku i COVID-19, shtyhet gjykimi i hetuesve të Policisë

Për të tretën herë ka dështuar të nisë seanca fillestare ndaj Lavdim Osmanit dhe Lutfi Menxhiqit, hetues të Krimeve Ekonomike.

Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi akuzohen nga prokuroria për marrje të ryshfetit, kurse Menxhiqi akuzohet edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.

Shkak i mos mbajtjes së seancës ishte mungesa e të akuzuarit Lutfi Menxhiqi.

Gjyqtarja e këtij rasti Shpresa Hasaj – Hyseni njoftoi palët se ka pranuar një raport nga stacioni policor i Vushtrrisë me të cilin është informuar se i akuzuari Menxhiqi nga 8 shtatori 2020 gjendet në karantinë për shkak të infektimit me coronavirus dhe ende nuk kanë marrë informacion nëse i njëjti është shëruar.

Kështu që në mungesë të kushteve ligjore ka dështuar të mbahet seanca, ndërkaq seanca e radhës është caktuar për 30 tetor.

Sipas aktakuzës Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e personave zyrtarë – hetues në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin pranuar ryshfet që të  mos veprojnë, në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit paraprakisht janë takuar në kafiterinë  “Central” me D. H. dhe kanë arritur marrëveshje që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit, ku sapo kanë dalë nga kafiteria dhe kanë shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, janë takuar me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1,500 euro, në prezencë të D. H., me ç’rast së bashku kanë arritur marrëveshje që të akuzuarit nuk do të ndërmarrin veprime hetimore ndaj lojërave të fatit dhe kanë premtuar bashkëpunim të kundërligjshëm në të ardhmen, në këmbim të marrjes së ryshfetit, edhe pse kanë qenë në dijeni se lojërat e fatit kanë qenë të ndaluara me ligj.

Tutje në aktakuzë thuhet se me 26 nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, të akuzuarit Osmani dhe Menxhiqi pranojnë ryshfet që të mos veprojnë, në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, në atë mënyrë që paraprakisht i akuzuari Menxhiqi e organizon takimin duke i kërkuar të akuzuarit Osmani që të takohet me D. H., ku sipas instruksioneve të marra nga i akuzuari Menxhiqi, i akuzuari Osmani takohet me Driton Berishën dhe D. H. në lokalin “Central”, derisa me veturë e dërgojnë te banesa e tij, Driton Berisha ia kishte dhënë 3,000 euro në formë ryshfeti të akuzuarit Osmani, me qëllim që të mos pengojnë veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.

Sipas aktakuzës, ky ryshfet ndahet në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1,250 euro dhe 500 euro ia dërgojnë kolegut të tyre Faton Zabergja për një rast tragjik që i kishte ndodhur.

Për këto veprime akzuohen për veprën penale të kryer në bashkëkryerje “marrje ryshfeti.

Sipas aktit akuzues, Lavdim Osmani më 9 janar 2020, rreth orës 18:00, në Prishtinë, në rrugën C, në cilësinë e personit zyrtar – hetues në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pranon ryshfet që mos veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani, në restorant “Marigona” afër QMI-së ia dorëzon dëshmitarit bashkëpunues D. H., paratë në vlerë prej 3,000 euro, ky i fundit niset me veturë menjëherë dhe vazhdon për në Prishtinë, lagje Mati 1, në rrugën C, ku i pandehuri ishte duke e pritur, hynë në veturë dhe nga H. i merr paratë në vlerë prej 3,000 euro.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Tutje, me 5 shkurt 2020, Lavdim Osmani akuzohet se rreth orës 17:30, në Prishtinë, në rrugën C, Mati 1, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet që mos të veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që nën masat e simulimit të  veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani ia dorëzon paratë prej 3,000 euro D. H., pastaj ky i fundit niset menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i ndërron, ndërsa një pjesë të parave në vlerë prej 1,300 euro ia dorëzon të pandehurit Lavdim Osmani dhe të tjerat i ndal për vete, e pasi i pandehuri Lavdim del nga vetura menjëherë arrestohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij gjenden paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.

Për këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Sipas aktakuzës, Lutfi Menxhiqi akuzohet se më 4 dhjetor 2019 ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, ashtu që pasi ishin marr vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, afër kafiterisë “Central”, me dëshmitarin Driton Berishën dhe D. H., për t’i njoftuar për aksionet e policisë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i dërgon informata dëshmitarin bashkëpunues D. H. me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.

Në aktakuzë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që me 4 dhjetor 2019, H. e thërret në telefon të pandehurin dhe i kërkon informata nëse ka filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit, vetëm pas pak kohës në orën 21:23, i pandehuri nga telefoni i tij personal, përmes rrjetit “Viber”, i dërgon mesazh D. H. duke e njoftuar se policia ka filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar: “D. po dal vet, po kqyri se sot i fushë Kosovës pom doket paska hi s ju kishin dhanë kompetencë edhe stacioneve mo me hi në do reste tani i dorëzojnë te na, po unë po nisna menjëherë po kqyri qka ka”, e krejt kjo edhe pse i pandehuri e dinte se lojërat e fatit ishin të ndalura me ligj.

Për këtë akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tutje në aktakuzë thuhet se Menxhiqi, me 5 shkurt 2020, në orën 22:40, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë,  në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm, në atë mënyrë që gjatë kontrollit sipas urdhër kontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, te i pandehuri janë gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, numër serik 0462-89 dhe numër serik 85NU2414, me dy karikatorë dhe të gjitha janë konfiskuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Për këtë akuzohet për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sa para iu gjetën Lavdim Osmanit, kur u arrestua në flagrancë