Sa para iu gjetën Lavdim Osmanit, kur u arrestua në flagrancë

Masa të vëzhgimit kishin vënë në funksion, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës për të mësuar lëvizjet dhe për ë hetuar dy  hetuesit e Departamentit të Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, Lavdim Osmani e Lutfi Menaxhiqi.

Të mërkurën në mbrëmje ishin arrestuar të dy hetuesit e lartcekur. Osmani po dyshohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare e marrje ryshfeti, ndërsa Menxhiqi për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe posedim i paautorizuar i armëve.

Në dosjen e siguruar nga KALLXO.com, tregohet edhe se sa para iu gjetën Osmanit gjatë arrestimit të tij.

Në kohën kur ishte arrestuar Lavdim Osmani, Inspektorati Policor i Kosovës e kishte kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave me një të dyshuar tjetër inicialet e të cilit janë D. H.

Gjatë arrestimit të Osmanit janë gjetur 1,307 euro, ndërsa një shumë prej 4,339 eurove janë gjetur te i pandehuri tjetër D. H., ku prej tyre 1,700 euro kanë qenë para të cilat janë ndarë nga kartëmonedhat të cilat kanë qenë të destinuara për simulim.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, Lavdim Osmani hetues policor në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorit të rastit për caktimin e paraburgimit, ku Osmani ka thënë se mbrohet në heshtje.

Gjithashtu në një konferencë për media të cilën e ka mbajtur Policia e Kosovës, shefi i Krimeve Ekonomike, Bashkim Spahiu, ka pranuar lidhjen familjare që e ka me hetuesin e arrestuar, Lavdim Osmani.

Spahiu ka deklaruar se me Osmanin janë tezakë.

“Është e vërtetë qe me hetuesin Lavdim Osmani që ka qenë target hetimi kam një relacion familjar, prindërit tanë babi im dhe i hetuesit janë fëmijë të dy motrave që ne i thojmë tezak”, është shprehur Spahiu.

Gjatë ditës së djeshme Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj dy hetuesve policor.

KALLXO.com raportoi që nga koha e arrestimit e deri në caktimin e paraburgimit për të njëjtin.

Dosja: Pse polici i krimeve ekonomike mbante dy kallashnikov