Ilustrim

Dosja: Si merrnin para Policët e Kosovës nga bastoret

Dy hetuesit e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, të akuzuar nga Prokuroria për marrje të ryshfetit, janë ballafaquar me dëshmitarin bashkëpunues në këtë rast, D. H.

Ai tha se është takuar me Driton Berishën në një kafiteri dhe sipas tij arsyeja e takimit ishte se, Dritoni kërkonte dikë për ta mbrojtur për lojëra të fatit, pasi i njëjti kishte pasur bastoret- online.

“Kjo arsye kishte qenë një mashtrim, një hakmarrje se ato pikat e bastoreve nuk kishin ekzistu dhe qëllimi i tij kishte qenë vetëm hakmarrja ndaj zyrtarëve policorë”, tha D. H.

Më pas ai tha se, Berisha është takuar me të akuzuarit Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, në një parking afër asaj kafiterie ku D. H. kishte qenë fillimisht i ulur me Berishën.

“U takuan kinse me bisedu, si me vazhdu ajo mbrojtja që e kërkonte Dritoni, kinse kur ka kontrolla me e lajmëru. Pastaj Dritoni më tha “e kryjta me ta dhe ua dhashë 1500 euro” dhe mua ma ka marrë mendja se për çka po takohen”, tha ai.

Dëshmitari D. H. përmendi dhe disa raste të tjera të takimeve me të akuzuarin Lavdim Osmani dhe Driton Berisha.

“Kemi qenë dukë bërë xhiro me makinë, unë, Dritoni dhe Lavdimi. Ku Dritoni sërish kërkonte mbrojtje lidhur me lojërat e fatit dhe ta lajmërojnë se kur ka kontrollë, kur e mbaruam xhiron, Dritoni i dha Lavdimit diçka, nuk e kam parë se çka”, tha D. H.

Ai tha se ia ka dhënë të akuzuarit Osmani, disa të holla.

“Një takim tjetër me Lavdimin e kam pasur, te rruga B sa më kujtohet dhe ia dhash disa të holla. Ato të holla mi dha Dritoni, të ia jap Lavdimit dhe arsyeja ishte e njëjta, për me e mbrojtë Dritonin, më duket ishin 2000 euro”, tha ai.

“Herën e fundit Dritoni mi ka dhënë 1300 euro, të cilat ia kam dhënë Lavdimit, ishim në makinë kur na arrestoi inspektorati”, shtoi D. H.

Seanca e sotme u ndërpre për shkak, të gjendjes emocionale të dëshmitarit mbrojtës.

Në seancën tjetër do dëgjohet dhe dëshmitari Driton Berisha.

Seanca e radhës u caktua për datën 26 mars, në ora 9:30.

Aktakuza

Sipas aktakuzës Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e personave zyrtarë – hetues në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin pranuar ryshfet që të  mos veprojnë sipas detyrës zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit paraprakisht janë takuar në një kafiteri me D. H. dhe kanë arritur marrëveshje që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit.

Sipas aktakuzës të njëjtit sapo kishin nga kafiteria kanë shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, janë takuar me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1,500 euro, në prezencë të D. H., me ç’rast së bashku kanë arritur marrëveshje që të akuzuarit nuk do të ndërmarrin veprime hetimore ndaj lojërave të fatit dhe kanë premtuar bashkëpunim të kundërligjshëm në të ardhmen, në këmbim të marrjes së ryshfetit, edhe pse kanë qenë në dijeni se lojërat e fatit kanë qenë të ndaluara me ligj.

Sipas aktakuzës, ky ryshfet ndahet në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1,250 euro dhe 500 euro ia dërgojnë kolegut të tyre Faton Zabergja.

Për këto veprime akuzohen për veprën penale të kryer në bashkëkryerje “marrje ryshfeti”.

Sipas aktit akuzues, Lavdim Osmani më 9 janar 2020, rreth orës 18:00, në Prishtinë, në rrugën C, në cilësinë e personit zyrtar – hetues në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pranon ryshfet që mos veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani, në një restorant në rrugën Prishtinë Lipjan, ia dorëzon dëshmitarit bashkëpunues D. H., paratë në vlerë prej 3,000 euro, ky i fundit niset me veturë menjëherë dhe vazhdon për në Prishtinë, lagje Mati 1, në rrugën C, ku i pandehuri ishte duke e pritur, hynë në veturë dhe nga D. H. i merr paratë në vlerë prej 3,000 euro.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Tutje, me 5 shkurt 2020, Lavdim Osmani akuzohet se rreth orës 17:30, në Prishtinë, në rrugën C, Mati 1, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet që mos të veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që nën masat e simulimit të  veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani ia dorëzon paratë prej 3,000 euro D. H., pastaj ky i fundit niset menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i ndërron, ndërsa një pjesë të parave në vlerë prej 1,300 euro ia dorëzon të pandehurit Lavdim Osmani dhe të tjerat i ndal për vete, e pasi i pandehuri Lavdim Osmani del nga vetura menjëherë arrestohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij gjenden paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.

Për këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Sipas aktakuzës, Lutfi Menxhiqi akuzohet se më 4 dhjetor 2019 ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, ashtu që pasi ishin marr vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, në një kafiteri, me dëshmitarin Driton Berishën dhe D. H., për t’i njoftuar për aksionet e policisë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i dërgon informata dëshmitarin bashkëpunues D. H. me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.

Në aktakuzë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që me 4 dhjetor 2019, D. H. e thërret në telefon të pandehurin dhe i kërkon informata nëse ka filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit, vetëm pas pak kohës në orën 21:23, i pandehuri nga telefoni i tij personal, përmes rrjetit “Viber”, i dërgon mesazh D. H. duke e njoftuar se policia ka filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar: “D. H. po dal vet, po kqyri se sot i fushë Kosovës pom doket paska hi s`iu kishin dhanë kompetencë edhe stacioneve mo me hi në do raste tani i dorëzojnë te na, po unë po nisna menjëherë po kqyri çka ka”, e krejt kjo edhe pse i pandehuri e dinte se lojërat e fatit ishin të ndalura me ligj.

Për këtë akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tutje në aktakuzë thuhet se Menxhiqi, me 5 shkurt 2020, në orën 22:40, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë,  në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm, në atë mënyrë që gjatë kontrollit sipas urdhër kontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, te i pandehuri janë gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, numër serik 0462-89 dhe numër serik 85NU2414, me dy karikatorë dhe të gjitha janë konfiskuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Për këtë akuzohet për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata mori aktvendim, ku aprovohet pranimi i fajësisë për të akuzuarin Lutfi Menxhiqi për veprën penale të përshkruar në pikën 6 të dispozitivit të aktakuzës, që ka të bëjë me veprën penale, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK. Ndërsa u refuzua kërkesa e mbrojtësve për ndërprerjen e arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës, por kjo mbeti të shqyrtohet jashtë shqyrtimit, çoftë atij gjyqësor, të dytë apo pas mbajtjes së arrestit shtëpiak.

Hetuesit e Krimeve Ekonomike Lavdim Osmani e Lutfi Menxhiqi në bankën e të akuzuarve për marrje ryshfeti