Shtyhet seanca ndaj hetuesve policor të akuzuar për ryshfet

Në Gjykatën e Prishtinës sot ishte e paraparë të mbahej seanca gjyqësore e rigjykimit kundër Lavdim Osmanit dhe Lutfi Menxhiqit, dy hetuesit e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës të cilët po akuzohen për marrje ryshfeti.

Të njëjtit ishin shpallur fajtor dhe ishin dënuar për afera korruptive nga Gjykata e Prishtinës në shkurt të vitit 2022.

Lavdim Osmani ishte dënuar me 6 vite e 6 muaj burgim dhe me gjobë në shumë prej 4 mijë euro ndërsa Menxhiqi me 5 vite e 6 muaj burgim dhe gjobë në lartësi 4 mijë euro.

Rasti ka kaluar në gjykatën e Apelit e cila e ka kthyer rastin në rigjykim.

Në seancën e sotme ishte e paraparë të bëhej dëgjimi i dëshmitarit Dritero Hurublica dhe dëshmitarit Mentor Maqani, i cili nuk ka qenë prezent edhe pse sipas gjyqtares së rastit për të ishte lëshuar urdhëresë me sjellje për detyrim.

Mirëpo seanca nuk u mbajt sot me kërkesë të Prokurorit të rastit Zef Prenrecaj, i cili është caktuar me rastin para disa ditësh dhe për këtë arsye është thirrur në kompleksitetin e lëndës si arsye për shtyrjen e seancës.

Kjo kërkesë u miratua nga trupi gjykues në përbërje nga Sulltane Hoti – kryetare dhe anëtarët Kushtrim Shyti dhe Avni Syla.

Seanca u shty për datën 30 janar 2024.

Sipas aktakuzës, ata kishin arritur marrëveshje me D. H. që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit.

Sipas Prokurorisë dy hetuesit ishin takuar me D. B. dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1,500 euro, në prezencë të D. H., me ç ‘rast së bashku kanë arritur marrëveshje se nuk do të ndërmarrin veprime hetimore ndaj lojërave të fatit dhe kishin premtuar bashkëpunim të kundërligjshëm në të ardhmen, në këmbim të marrjes së ryshfetit.

Përpos saj, Osmanaj akuzohet edhe se i kishte marrë edhe 3 mijë euro ryshfet nga dëshmitari D. H., para të cilat dëshmitari i kishte marrë paraprakisht nga dëshmitari M. M. në një nga restorantet në rrugën Prishtinë – Lipjan.

Ai akuzohet edhe se nën masat e simulimit të veprës penale i kishte pranuar para dhe menjëherë pasi kishte dalë nga vetura ishte arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Ndryshe nga Osmanaj, ish-polici Menxhiqi akuzohet edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare pasi e kishte njoftuar paraprakisht dëshmitarin D.H. se Policia kishte filluar kontrollin për lojërat e fatit në Fushë-Kosovë.

Menxhiqi u akuzua edhe për armëmbajtje pa leje.