Foto: KALLXO.com

I akuzuar se lejoi ndërtimin në rrjedhën e ‘Lumbardhit’, ish-inspektori deklarohet i pafajshëm edhe në rigjykim

Ish-inspektori i Hidro-Ekonomisë, Avdulla Gashi, të mërkurën në Gjykatën e Prizrenit është deklaruar sërish i pafajshëm për akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Gashi po ngarkohet se ka lejuar investitorin që në mënyrë të paligjshme një pjesë të objektit ta ndërtojë në pronën shoqërore-publike, përkatësisht në rrjedhën e lumit “Lumbardhi”.

Gjykata Supreme rastin e tij e ka kthyer në rigjykim.

Në seancën e sotme, Gashi ka dhënë mbrojtjen e  tij, ku ka theksuar se pas daljes në vendin e ngjarjes ai ka vërejtur se në parcelën afër “Lumbardhit”, ka filluar ndërtimi  i një objekti afarist.

Lidhur me këtë, ish-inspektori Gashi ka arsyetuar se pikat kadastrale te “Lumbardhi” janë respektuar nga investitori, pasi ky i fundit kishte thënë se ato janë vendosur nga ana e gjeodetëve.

“Gjatë inspektimit e kam pyetur Hashim Kryeziun se kush t’i ka vendosur pikat nga ana e ‘Lumbardhit ’e që është parcela me numër 800. Ai më ka thënë se gjeodetët e Komunës ia kanë vendosur këto pika prandaj unë kam diktuar në procesverbal: ‘Sa i përket lumit më përpara i ka bërë matjet me kadastër dhe i ka respektuar pikat e kadastrit’” –u shpreh Avdullah Gashi.

I akuzuari Gashi më tej ka bërë të ditur se gjatë inspektimit ka vërejtur se parcelat me numër 800-0 dhe 802-0 janë evidentuar si prona private. Ndërkaq, pas aplikimit të investitorit për leje investitorit i janë ndërprerë punimet.

“Pas aplikimit nga ana e Hashim Kryeziut për leje për ndërtim, më 17 prill 2018, inspektorët në përbërje prej Mehdi Uka, si inspektor i ndërtimit dhe Agim Kolukaj i Bujqësisë dhe unë si inspektor i Hidro-Ekonomisë kemi konstatuar se ka një uzurpim të parcelës 801 e cila gjendet në mes të dy parcelave private dhe se atë ditë është bërë ndërprerja e punimeve” – ka thënë ai.

Paraprakisht në këtë gjykim është dhënë fjala hyrëse, janë administruar provat, është bërë leximi i shkresave të lëndës dhe në fund i akuzuari ka dhënë mbrojtjen e tij.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua për më 23 dhjetor 2022.

Avdulla Gashi akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Sipas Prokurorisë më 3 tetor 2017, Gashi derisa po inspektonte objektin e ndërtimit të insvestitorit Hashim Kryeziu, pa fakte konstaton në procesverbal se janë respektuar pikat e kadastrit.

Në këtë mënyrë Prokuroria pretendon se investitorit i ka mundësuar të bëjë ndërtimin e objektit B+P+2, në parcelën shoqërore “Ujërat” në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke uzurpuar një sipërfaqe rreth 84 m2, të pasurisë shoqërore duke lejuar që objekti të ndërtohet pa u respektuar largësia e përcaktuar me ligj nga brigjet e lumit.

Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Lidhur me këto akuza, Gashi në dhjetor të vitit 2021 është dënuar me 2 mijë euro gjobë por Gjykata Supreme e ka kthyer çështjen në rigjykim.

Supremja ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës penale, duke tejkaluar aktakuzën me të cilën i kishte shtuar edhe një vepër tjetër penale. Pos kësaj, Supremja ka konstatuar se prokuroria nuk e ka bërë precizimin e aktakuzës e as zgjerimin e saj.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.