Shtyhet gjykimi ndaj ish-inspektorit Avdulla Gashi, i akuzuar për korrupsion

Seanca e sotme ndaj të akuzuarit Avdulla Gashi është shtyrë për shkak të procedurës së zgjedhjes së përfaqësuesit ligjor të Komunës së Prizrenit.

Kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi konstatoi se gjykata ka pranuar njoftimin në të cilin kërkohej shtyerja e seancave deri në caktimin e përfaqësuesit.

“Lusin gjykatën që të ketë parasysh interesin e përgjithshëm dhe të shtyjë të gjitha seancat e caktuara së paku 15 ditë deri në zgjedhjen e përfaqësuesit ligjor me qëllim që të mos dëmtohet Komuna”, thuhet në shkresën e dërguar nga kryetari i Komunës Mytaher Haskuka.

Avdulla Gashi, ish inspektor i Hidro-ekonomisë akuzohet se gjatë kryerjes së detyrave të inspektimit në fshatin Reçan të Prizrenit, i mundësoi investitorit që në mënyrë të paligjshme, një pjesë të objektit ta ndërtoj në pronë shoqërore-publike, përkatësisht në rrjedhën e lumit “Lumbardh”.

Sot ishte paraparë që nga palët në procedurë të jepej fjala përfundimtare mirëpo në mungesë të kushteve ligjore gjykimi i sotëm u shtye për datën 18 nëntor 2021.

Sipas aktakuzës të datës 22 gusht 2019, Avdulla Gashi akuzohet se më 3 tetor 2017, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë sqarohet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe udhëzimin administrativ, nr. 04/2016 për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të rrjedhave dhe akumulacioneve, dhe pa fakte konstaton në procesverbal se investitori Hashim Kryeziu ka respektuar pikat kadastrale.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij konstatimi në procesverbal, investitorit Hashim Kryeziu, i është mundësuar ndërtimi i objektit B+P+2, në parcelën shoqërore “Ujërat” në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke uzurpuar një sipërfaqe rreth 155 m2, të pasurisë shoqërore.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.