Foto: KALLXO.com

Prizren, kërkohet dënimi i ish-inspektorit të Komunës

Në gjykimin e ish-inspektorit të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, Avdulla Gashit, sot është dhënë fjala përfundimtare.

Ish-inspektori Gashi po akuzohet se ka lejuar investitorin që në mënyrë të paligjshme një pjesë të objektit ta ndërtojë në pronë shoqërore, përkatësisht në rrjedhën e lumit Lumbardhi.

Përfaqësuesja e Prokurorisë, Ervehe Gashi, në fjalën përfundimtare ka kërkuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Sipas prokurores Gashi, duke u bazuar në gjendjen faktike, analizimin e dëshmisë së dëshmitarëve dhe provave materiale, rezulton se i pandehuri me dashje e ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i detyrës zyrtare.

“Veprën penale i pandehuri e ka kryer me dashje ngase ai ka konstatuar gjendjen faktike e cila nuk përputhet me gjendjen reale, madje vetëm duke u bazuar në pohimet e investitorit, e me këtë i pandehuri ka shkelur ligjin”, tha prokurorja Gashi.

Përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, Blerim Mazreku, mbështeti fjalën e prokurores, ndërkaq theksoi se kërkesën pasurore juridike do ta kërkojë në procedurën kontestimore në rast se i akuzuari shpallet fajtor me vendim të prerë.

Në anën tjetër, për mbrojtësin e të akuzuarit, avokat Rexhep Hasani, i mbrojturi i tij gjatë detyrës si inspektor kishte qenë në lajthim juridik lidhur me pronësinë e ngastrës.

“Deri më tani konsideroj se me asnjë fakt dhe argument nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën me dashje.  Mirëpo, me dashje apo pa dashje inspektorët kishin rënë pre e lajthimit faktik me pronësinë e ngastrës”, shtoi avokati  Hasani.

I akuzuari Avdulla Gashi lidhur me ngastrën e lartcekur deklaroi se nuk kishte pasur dijeni se e njëjta hyn në kuadër të pasurisë së ujërave. Po ashtu, i propozoi Gjykatës që t’i shqiptohet aktgjykimi lirues.

Shpallja lidhur me këtë rast do të bëhet më 24 dhjetor.

Sipas Prokurorisë, Avdulla Gashi akuzohet se më 3 tetor 2017, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë sqarohet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe udhëzimin administrativ nr. 04/2016 për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të rrjedhave dhe akumulacioneve dhe pa fakte konstaton në procesverbal se investitori Hashim Kryeziu ka respektuar pikat kadastrale.

Sipas aktakuzës, në bazë të këtij konstatimi në procesverbal, investitorit Hashim Kryeziu i është mundësuar ndërtimi i objektit B+P+2, në parcelën shoqërore “Ujërat” në rrjedhën e lumit Lumbardhi, duke uzurpuar një sipërfaqe rreth 155 m2, të pasurisë shoqërore.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.