Shtyhet gjykimi ndaj ish inspektorit Avdulla Gashi, akuzohet se lejoi ndërtimin në rrjedhën e ‘Lumbardhit’

Rasti ku ish inspektori po akuzohet se ka lejuar investitorin që në mënyrë të paligjshme një pjesë të objektit ta ndërtoj në pronë shoqërore-publike, përkatësisht në rrjedhën e lumit “Lumbardhi” dështoi të mbahej sot në gjykatën e Prizrenit.

Shkak i këtij dështimi ishte mungesa e përfaqësuesit të Komunës, në të cilën me anë të një parashtrese Komuna kërkonte shtyrjen e seancave deri në caktimin e përfaqësuesit.

Edhe herë të tjera ka dështuar seanca për të njëjtën arsye, raporton KALLXO.com.

Shtyhet gjykimi ndaj ish-inspektorit Avdulla Gashi, i akuzuar për korrupsion

Në seancën e kaluar me datë 19 tetor, ishte paraparë që nga palët në procedurë të jepej fjala përfundimtare mirëpo në mungesë të kushteve ligjore gjykimi ishte shtyrë për sot.

Lidhur me akuzën në fjalë, ish-inspektori i Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit Avdulla Gashi ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i ngarkohet.

Tutje, në shqyrtimin e dytë, i pandehuri Avdulla Gashi, përmes mbrojtësit të tij, avokat Gent Gjini kishte kërkuar nga gjykata që ta hedhë poshtë si të pa bazë aktakuzën ndaj të pandehurit, me pretendimin se nuk është mbështetur në prova ligjore.

Mirëpo, kjo kërkesë për prokuroren Ervehe Gashi ishte e papranueshme. Sipas saj, aktakuza ishte e mbështetur në prova me të cilat provohet se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Pas kësaj, gjykatësja Raima Elezi kishte marrë vendim me të cilin kishte refuzuar kërkesën për hedhje të aktakuzës.

Gjykimi tutje kishte pasuar edhe me dëgjimin e dëshmitarëve, ekspertëve dhe me datë 5 mars të këtij viti ishte dhënë fjala përfundimtare lidhur me këtë rast. Por, më pas gjykata kishte rihapur procedurën e provave.

Sipas aktakuzës së datës të datës 21 gusht 2019, Avdulla Gashi akuzohet se më 3 tetor 2017, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë sqarohet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe udhëzimin administrativ, nr. 04/2016 për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të rrjedhave dhe akumulacioneve, dhe pa fakte konstaton në procesverbal se investitori Hashim Kryeziu ka respektuar pikat kadastrale.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij konstatimi në procesverbal, investitorit Hashim Kryeziu, i është mundësuar ndërtimi i objektit B+P+2, në parcelën shoqërore “Ujërat” në rrjedhën e lumit “Lumbardhi”, duke uzurpuar një sipërfaqe rreth 155 m2, të pasurisë shoqërore.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.