Hulumtimi i KALLXO.com, i akuzuari për 60 mijë euro fajde del para gjyqit - VIDEO

 

Driton Podrimçaku, është sjellë sot para gjykatës së Pejës për t’u ballafaquar me akuzën e prokurorisë për fajde.

Podrimçaku po akuzohet se është përfshirë në aktivitet të fajdesë në shumë prej 60 mijë euro.

Në seancën e sotme gjyqësore, mbrojtja e Podrimçakut kërkoi që akuza e prokurorisë të hudhet poshtë nga gjykata, e prokuroria në anën tjetër kërkoi që aktakuza të konfirmohet.

Mbrojtësi i Pocdrimçakut, avokati Gzim Baloku,  tha se veprimet e kryera nga klienti i tij nuk përbejnë vepër penale të fajdesë, pasi sipas tij paratë e marra hua nga i dëmtuari janë marrë për renovimin e një lokali, e jo në rrethanat që i parasheh vepra penale e fajdesë.

Avokati tha se shuma prej 60 mijë euro e përmendur në aktakuzë është e bazuar vetëm në deklarimin e të dëmtuarit.

Ndërsa lidhur me veprat penale sulm dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm Baloku shtoi se gjykatës do t’i deponohet një cd me pamje, që sipas tij tregon se Podrimçaku nuk ka rrezikuar e as sulmuar askënd.

Podrimçaku u pajtua me deklarimin e avokatit të tij.

Prokurorja Lumturije Vuçetaj në anën tjetër tha se aktakuza e prokurorisë është e bazuar dhe e mbështetur në provat që janë në shkresat e lëndës.

Sipas prokurores, aktakuza është e bazuar në provat siç janë listuar në aktin akuzues, e veçanërisht në cd që ka rezultuar nga masat e fshehta të zbatuara për këtë rast.

“Lidhur me cilësimin e veprës penale, nga ajo çka deklaroi avokati, duke u thirr se është bërë nga deklarimi i të dëmtuarit nuk qëndron ngase provat e listuara vërtetojnë në tërësi kualifikimin e veprës penale”, tha prokurorja Vuçetaj.

Prokurorja kërkoi nga gjykata që të refuzohet kundërshtimi i mbrojtjes së të akuzuarit, dhe të bëhet konfirmimi i aktakuzës për 3 veprat penale që e ngarkojnë Podrimçakun.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast edhe me herët.

Aktakuzë për fajde, për rastin i cili u raportua në KALLXO.com

Arrestimi i tij erdhi pasi qytetari nga Peja kishte raportuar në KALLXO.com se ishte viktimë e fajdesë.

Pasi i njëjti kishte kontaktuar me KALLXO.com dhe pas rrëfimit që kishte bërë, të gjitha deklaratat e tij ishin bartur në Prokurorinë e Pejës, ku kjo e fundit pas hetimeve ka ngritë aktakuzë.

Aktakuza është ngritur në drejtim të veprës penale të fajdesë, sulm ndaj zyrtarit policor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Aktakuza për fajde thotë se Podrimçaku duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit M. B. i jep këtij të fundit një veturë BMW X5 në vlerë prej 17 mijë euro kinse për të dalë nga gjendja e rëndë financiare.

Dosja e prokurorisë thotë se i dëmtuari M. B. për dy vite çdo muaj në emër të fajdesë paguan 2 mijë euro, duke kapur kështu shumën prej 48 mijë eurove.

Pastaj dosja thotë se në vitin 2021 i dëmtuari për atë veturë paguan 4 herë nga 500 euro, dhe në fund paguan edhe 10 mijë euro nga blerja e simuluar.

Driton Podrimçaku sipas prokurorisë ka përfituar shumën prej 60 mijë euro pa llogaritur këtu veturën.

Podrimçaku po akuzohet edhe se ka sulmuar policin Shpëtim Tafilaj në momentin kur e ka vërejtur që është nën vëzhgim të policisë, ku gjatë ikjes nga policia e godet me veturë policin në fjalë.