Hulumtimi i KALLXO.com, Prokurorja: Pasuria e të pandehurit është produkt i fajdesë

Prokurorja Lumturije Vuçetaj, në seancën e sotme gjyqësore për rastin e fajdesë në Gjykatën e Pejës, tha se e gjithë pasuria e të pandehurit Driton Podrimçaku është produkt i fajdesë.

“Do të vërtetohet se të gjitha sendet e luajtshme dhe të paluajtshme, familjes se tij, rrethit të ngushtë janë produkt që derivon nga vepra penale e fajdesë, ashtu siç janë precizuar në aktin akuzues”, tha prokurorja Vuçetaj.

Sipas saj ka bazë që këto të konfiskohen meqenëse janë rrjedhojë e veprës penale të fajdesë.

Podrimçaku po akuzohet se është përfshirë në aktivitet të fajdesë në shumë prej 60 mijë euro.

Vuçetaj tutje në fjalën hyrëse tha se gjykata do të vërtetojë se i pandehuri i ka kryer veprat penale që i vihen në barrë sipas aktakuzës.

Kjo sipas prokurores do të vërtetohet edhe nga deklarata e të dëmtuarit M.B., ku sipas prokurorisë ky i fundit përderisa ishte në gjendje të vështirë financiare është vënë në kontakt me të pandehurin.

Prokurorja tha se këto të holla që i pandehuri i ka dhënë të dëmtuarit, më vonë janë kushtëzuar me fajde.

“E gjithë këtë kinse si ndihmë për me dalë nga gjendja e vështirë financiare e të dëmtuarit meqenëse ekonomia e tij ishte rënduar si pasojë e pandemisë COVID-19”, tha ajo.

Prokurorja shtoi se vepra penale e fajdesë do të vërtetohet edhe nga masat e fshehta, ku janë përdor të holla nga zyra e fshehtë e policisë për zbatimin e këtyre masave.

Prokurorja tha se i pandehuri ka marrë nga i dëmtuari shumën prej 60 mijë euro për një periudhë kohore prej 3 viteve.

Në anën tjetër mbrojtësi i të pandehurit Driton Podrimçaku, avokati Gëzim Baloku, tha se aktakuza e prokurorisë është e pabazuar, duke kontestuar cilësimin juridik të veprës penale të fajdesë.

“.. kjo nuk përkon me elementet e veprës penale të fajdesë, nëse është dëmtuar 60 mijë euro, atëherë fitimi duhet të jetë joproporcional, e këtë nuk e ka cek prokurorja, pasi nuk e di”, tha Baloku.

Baloku tha se pala e dëmtuar ka marrë hua jo vetëm nga i pandehuri por edhe personat e tjerë.

“Kjo më bën të dyshoj që ky person ka punë me shumë persona prej të cilëve ka marrë hua, dhe në pamundësi të kthimit, lajmëron personat në polici me qëndru vetë si viktimë, sepse përndryshe ky përgjigjet për mashtrim”, tha tutje Baloku.

Tutje mbrojtësi tha se masat e fshehta të hetimit janë marrë në kundërshtim me ligjin pasi është tentuar të futet në grackë i pandehuri, çka sipas tij është e palejueshme.

Ndërsa sa i përket konfiskimit të pasurisë së të pandehurit, Baloku tha se kjo është tejkalim i aktakuzës, pasi prokuroria po kërkon konfiskimin e tërë pasurisë së klientit të tij, e që akuza është për shumën prej 60 mijë euro.

Ai tha se përmes provave që mbrojtja ka dorëzuar është vërtetuar prejardhja e pasurisë së klientit të tij.

Avokati tha se as dy veprat e tjera në aktakuzë nuk qëndrojnë pasi nuk ka qenë qëllimi i të pandehurit që ato të shkaktohen.

Paraprakisht i akuzuari nuk e pranoi fajësinë për veprat penale që i vihen në barrë.

Arrestimi i Podrimçakut erdhi pasi qytetari nga Peja kishte raportuar në KALLXO.com se ishte viktimë e fajdesë.

Pasi i njëjti kishte kontaktuar me KALLXO.com dhe pas rrëfimit që kishte bërë, të gjitha deklaratat e tij ishin bartur në Prokurorinë e Pejës, ku kjo e fundit pas hetimeve ka ngritur aktakuzë për fajde.

Aktakuza është ngritur në drejtim të veprës penale të fajdesë, sulm ndaj zyrtarit policor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Aktakuza për fajde thotë se Podrimçaku duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit M. B. i ka dhënë këtij të fundit një veturë BMW X5 në vlerë prej 17 mijë euro kinse për të dalë nga gjendja e rëndë financiare.

Dosja e prokurorisë thotë se i dëmtuari M. B. për dy vite çdo muaj në emër të fajdesë ka paguar 2 mijë euro, duke kapur kështu shumën prej 48 mijë eurove.

Pastaj dosja thotë se në vitin 2021, i dëmtuari për atë veturë ka paguar katër herë nga 500 euro, dhe në fund ka paguar edhe 10 mijë euro nga blerja e simuluar.

Driton Podrimçaku sipas prokurorisë ka përfituar shumën prej 60 mijë euro pa llogaritur këtu veturën.

Podrimçaku po akuzohet edhe se ka sulmuar policin Shpëtim Tafilaj në momentin kur e ka vërejtur që është nën vëzhgim të policisë, ku gjatë ikjes nga policia e ka goditur me veturë policin në fjalë.