Hulumtimi i KALLXO.com - I akuzuari për 60 mijë euro fajde deklarohet për fajësinë para gjykatësit

Driton Podrimçaku, është sjellë sot para gjykatës së Pejës për t’u ballafaquar me akuzën e prokurorisë për fajde.

“Nuk e pranoj fajësinë”, tha ai kur u deklaruar për fajësinë.

Podrimçaku po akuzohet se është përfshirë në aktivitet të fajdesë në shumë prej 60 mijë euro.

Arrestimi i tij erdhi pasi qytetari nga Peja kishte raportuar në KALLXO.com se ishte viktimë e fajdesë.

Pasi i njëjti kishte kontaktuar me KALLXO.com dhe pas rrëfimit që kishte bërë, të gjitha deklaratat e tij ishin bartur në Prokurorinë e Pejës, ku kjo e fundit pas hetimeve ka ngritë aktakuzë.fajde

Aktakuza është ngritur në drejtim të veprës penale të fajdesë, sulm ndaj zyrtarit policor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Aktakuza për fajde thotë se Podrimçaku duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit M. B. i jep këtij të fundit një veturë BMW X5 në vlerë prej 17 mijë euro kinse për të dalë nga gjendja e rëndë financiare.

Dosja e prokurorisë thotë se i dëmtuari M. B. për dy vite çdo muaj në emër të fajdesë paguan 2 mijë euro, duke kapur kështu shumën prej 48 mijë eurove.

Pastaj dosja thotë se në vitin 2021 i dëmtuari për atë veturë paguan 4 herë nga 500 euro, dhe në fund paguan edhe 10 mijë euro nga blerja e simuluar.

Driton Podrimçaku sipas prokurorisë ka përfituar shumën prej 60 mijë euro pa llogaritur këtu veturën.

Podrimçaku po akuzohet edhe se ka sulmuar policin Shpëtim Tafilaj në momentin kur e ka vërejtur që është nën vëzhgim të policisë, ku gjatë ikjes nga policia e godet me veturë policin në fjalë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Podrimçaku, avokati Gëzim Baloku tha se nuk pajtohet me cilësimin juridik të prokurorisë, duke thënë se shumat e specifikuara në aktakuza nuk qëndrojnë.

Ai la te hapur mundësinë për marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

Gjyqtarja që do të gjykojë më këtë rast është gjyqtarja Violeta Husaj Rugova, ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurorja Lumturije Vuçetaj.

Rrëfimi i viktimës së fajdesë dhe arratisja e Driton Podrimqakut – LIVE