Bastisja në shtepinë e Driton Podrimçakut

Hulumtimi i KALLXO.com për fajdetë në Pejë, Gjykata e dënon me 6 vjet burgim të akuzuarin

Një vit e gjysmë prej kur u publikua hulumtimi për fajde në emisionin “Kallxo Pernime”, Gjykata Themelore e Pejës shqiptoi 6 vite burg dhe 2,000 euro gjobë për të akuzuarin Driton Podrimçaku.

Ai u dënua pasi u gjet fajtor për fajde dhe sulm ndaj personit zyrtar, vepër të cilën akuzohet se e kishte kryer në momentin kur kishte kuptuar se ishte në vëzhgim nga policia.

Pamjet e këtij veprimi ishin shfaqur në emisionin “Kallxo Pernime” në prill të vitit 2021.

Për fajde Podrimcaku u dënua me 5 vite burg dhe 2,000 euro gjobë, ndërsa për sulm ndaj policit u dënua me 1 vit e 6 muaj.

Gjykata për të dy veprat shqiptoi dënim unik prej 6 viteve burg dhe 2,000 euro gjobë.

Ndërsa Podrimçaku u lirua për akuzën për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Gjithçka në këtë rast kishte filluar, kur një qytetar nga Peja ishte paraqitur në zyrën e KALLXO.com dhe kishte raportuar se ishte viktimë e fajdesë.

Pas këtij raportimi ekipi hulumtues i KALLXO.com kishte kontaktuar me prokurorinë e Pejës, ku më pas ishte ftuar nga Prokurori Ersan Qavolli për intervistim.

Pas intervistimit të viktimës me kërkesë të prokurorit ishte zhvilluar hetimi dhe ishin lëshuar masat hetimore si vëzhgimi dhe simulimi i veprës.

Podrimçaku u shpallë fajtor pasi e kishte shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare te të dëmtuarit M.B të cilit i kishte dhënë një veturë BMË X5 në vlerë prej 17 mijë euro kinse për ta nxjerrë nga kriza financiare.

Sipas dosjes së prokurorisë, për këtë veturë, viktima M.B kishte paguar për dy vite me radhë nga 2 mijë euro në muaj, duke kapur kështu shumën prej 48 mijë eurove.

Fajdeja sipas prokurorisë kishte vazhduar edhe në vitin 2021 kur i dëmtuari për atë veturë kishte paguar edhe 4 herë nga 500 euro, dhe në fund i kishte dhënë edhe 10 mijë euro të tjera për ta përmbyllur borxhin e të cilat ishin dhënë gjatë fazës së hetimit me masën hetimore “blerja e simuluar”.

Për veturën në vlerë 17 mijë euro, Driton Podrimçaku akuzohej se kishte përfituar shumën prej 60 mijë euro.

Përpos akuzave për fajde Podrimçaku akuzohet edhe se e  ka sulmuar policin Shpëtim Tafilaj në momentin kur e ka vërejtur që është nën vëzhgim të policisë, ku gjatë ikjes nga policia e godet me veturë policin në fjalë.

Për të gjitha akuzat Podrimçaku ishte deklaruar i pafajshëm.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi të këtij rasti.