Qeli burgu - Foto: REL/Shutterstock

Paraburgim për 16 të arrestuarit në Pejë për fajde dhe detyrim

Gjykata e Pejës ka caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarit e arrestuar dje për fajde dhe detyrim.

KALLXO.com ka kuptuar se Gjykata ka vendosur masën e paraburgimit për 16 prej 17 të arrestuarve gjatë aksionit kundër të dyshuarve për fajde dhe detyrim.

Masa e paraburgimit është caktuar për të pandehurit: Kismet Krasniqi, Isa Camaj, Sokol Dembogaj, Besnik Mehmetaj, Driton Podrimçaku, Fadil Zhabollaj, Tafil Alimusaj, Astrit  Grabovci, Petrit Kastrati, Valon Kastrati, Alush Bajraktaraj, Labinot Elshani, Shaip Mehmetaj, Orhan Lukaj, Sylë Jusaj dhe Astrit Kastrati.

Paraburgimi për ta do të llogaritet nga data e djeshme e do të zgjasë deri më 22 mars.

KALLXO.com ofroi detaje rreth operacionit për arrestimin e të dyshuarve. Për arrestimin e tyre janë përdorur masa të fshehta të hetimeve. Të dyshuarit janë kapur në flagrancë.

Dosja e Prokurorisë tregon se videoincizimet dëshmojnë për marrjen e parave në formë të interesit nga të dëmtuarit.

Po ashtu, dosja e Prokurorisë tregon se të pandehurit i kishin djegur lokalin një të dëmtuari, ndaj të cilit kishin ushtruar edhe dhunë fizike.