Haxha në gjykatë, rrëfehen dy dëshmitarë

 

Ish-kryeshefi  i PTK-së Shyqri Haxha, i akuzuar për lidhje të kontratës së dëmshme është ballafaquar me rrëfimin e dy dëshmitarëve, Sebahedin Ramaxhiku dhe Arben Ahmeti.

Dëshmitari Ramaxhiku ju përgjigj pyetjeve të palëve duke thënë se kontrata e lidhur me kompaninë Amdox është shkëputur me kërkesë të aksionarit bazuar në vendimin e bordit të drejtorëve.

Po ashtu shtoi se aksionari kishte ndërhyrë në statutin e PTK-së në kundërshtim me ligjin.

Tutje seanca ka vazhduar edhe me dëgjimin e dëshmitarit Arben Ahmeti.

Ahmeti deklaroi se ka qenë i kyçur në projektin e faturimit në PKT.

Për këtë projekt ai tha se ka qenë një nga projektet më të rëndësishme dhe mos implementimi i kësaj kontrate ka qenë I dëmshëm për PTK-në.

Tutje ai tha se zgjidhja teknike që e ka ofruar operatori Amdox ka qenë zgjidhja më komplete për PKT-në.

10 vjet pas lidhjes së kontratës 9-milionëshe, Prokuroria e Prishtinës në vitin 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, Shyqri Haxha, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale – lidhja e kontratës së dëmshme.

Sipas prokurorisë i akuzuari më 16 prill 2010, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojnë dëm material, duke mos marrë aprovimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ka lidhur kontratë për faturim të ri me ç’ rast i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së.

Ngase me kërkesë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën dhe është detyruar të paguajë shumën prej 9 milionë euro si dhe shpenzime tjera të cilat janë bërë lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate. Vlera e përgjithshme ka arritur në 9,891,022.81 euro.