Rasti "Stenta II", - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për rastin ‘Stentat II’, dëshmitari: Babai vdiq 4 orë pas operacionit

Në vazhdimin e procesit gjyqësor, të njohur si rasti “Stenta II”, Shefket Abdullahu ka rrëfyer se si i është bërë koronarografia, si i janë vendosur stentat dhe si vdiq 4 orë pas operacionit nga problemi me zemër babai i tij, Avdullahu.

“Fillimisht babanë  e kemi dërgu në Emergjencë, në atë kohë drejtor ishte Masar Gashi, i cili e ka pranuar në Repartin e Kardiologjisë. Aty kuptova se babai im ka pasur ngushtim të arteries kryesore dhe doktori ka thënë që në QKUK nuk ka mjete, por operacioni kryhet në spitalin privat ‘Eda’ ose në spitalin turk”, tha dëshmitari.

‘’Duhet bërë një fotografim-koronarografinë që kushton 700 euro. Ka dalë një doktor me emrin Blerim, I cili ka thënë se 99 % arteria kryesore është e bllokuar dhe duhet të vendosen 2 stenta që kushtojnë 7.500 euro me garancion 5 deri në 10 vjet’’, shtoi Shefket Abdullahu.

Po ashtu, dëshmitari tha se  pasi i janë vendosur stentat babai i tij asnjëherë nuk e ka ndjerë veten mirë.

“Pas 1 viti kur kam shkuar në spital aty ka qenë një doktor maqedonas së bashku me doktorin Blerim. Doktori maqedonas tha duhet me ardhë me e kontrollu a i ka stentat mirë. I njëjti ka thënë ky kontroll kushton 2.800 euro. Mirëpo, kur e pyeta nëse nuk del mirë, mjeku tha se duhet me ndërhy përsëri’’, rrëfeu dëshmitari.

‘’Pastaj kemi shkuar në QKUK. Aty na kanë kërkuar me bo edhe një koronarografi, pastaj duhet me bo ‘’by pass’’ te Bekim Dula. Kemi lënë termin. Kur kanë kaluar 5-6 muaj nga ardhja e një mjeku turk  prej Ankarasë dhe e kanë bo operacionin me ia vendos ‘by pass’-in, diku pas 4-5 orëve babai im ka ndërruar jetë”, tha dëshmitari.

I pyetur nga prokurorja e rastit Florije Shamolli se a ju kanë thënë se keni të drejtë për ta bërë autopsinë, dëshmitari Abdullahu tha se “ne si familje nuk e kemi traditë me bo autopsinë, dhe e kemi çu babën n’shpi’’.

Tutje dëshmitari përfundoi deklaratën duke thënë se “nëse dikush e mban një kioskë dhe e shet një smok ose një qese fara, nëse i bën dëm dikujt duhet të mbajë përgjegjësi e lërë më 7.500 euro”.

Të akuzuarit qeshën në sallë.

Pasi gjykatësja ua tërhoqi vërejtjen të akuzuarve, dëshmitari Abdullahu  u tha: “Po të ishin këta në lëkurën time nuk do të qeshnin sepse unë jetoj me një social dhe 7.500 euro më kanë ndihmuar njerëzit tjerë për t’i mbledhur’’.

Rrëfimi i dëshmitarit në rastin ‘Stenta 2’

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në rastin ‘Stenta II’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Dëshmitari në emër të Ramush Haradinajt çmimet e stentave uleshin

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Dëshmitari Shaban Shala është larguar nga salla e gjykimit pa lejen e trupit gjykues e i kontaktuar nga Gjykata  u kishte thënë se kam pasë probleme shëndetësore.

Seanca do të vazhdojë nesër me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.