Gjykimi ne rastin "Stenta"

Dëshmitari në emër të Ramush Haradinajt çmimet e stentave uleshin

Në gjykimin ndaj 42 mjekëve në rastin e njohur si “Stenta 2”, dëshminë e saj e ka dhënë Elife Bajraktari e cila tregoi se bashkëshorti i saj kishte vdekur pas intervenimit të dytë në spitalin privat “IMH”.

Ajo tha se kishte paguar rreth 7 mijë euro për këtë intervenim mjekësor.

Dëshmitarja Elife Bajraktari ka rrëfyer historinë për bashkëshortin e saj Ismajl Bajraktari, i cili kishte pasur dhembje gjoksi, ku më pas ishte dërgua në QKUK, dhe pas një kontrolle nga ana e doktor Nexhmi Zeqirit, ishte informuar se burri i saj nuk është në gjendje të mirë.

Më pas ajo tregoi se në QKUK, bashkëshortit të saj i kishin bërë një EKG dhe më pas një koronarografi e cila ishte bërë nga doktori Agim Krasniqi.

Ajo tha se më pas, doktor Krasniqi e kishte informuar se bashkëshortit të saj duhet t’i vendoset një stentë (bypass), shërbim i cili nuk mund të kryhej në spitalin publik.

Bajraktari tregoi se kishte vendosur që bashkëshortin e saj ta dërgojë në spitalin privat ”IMH”, ku ishin takuar me doktorin Raif Cakollin dhe i njëjti i kishte thënë se duhet menjëherë të bëhet intervenimi që t`i vendoset një baypas.

“Mbas katër dite vendosem të shtrihet në spital dhe arsye pse mbas katër dite ka qenë se i njëjti është dashur të marrë ineksione për qarkullim të gjakut. Çmimi i tërësishëm i operimit ka qenë 7 mijë euro, dhe nga pro-faktura të cilën e kemi marr, 70% të çmimit është paguar nga Ministria e Shëndetësisë”, tha dëshmitarja.

Tutje ajo tregoi se tri javë pas operimit gjendja e bashkëshortit të saj ishte keqësuar, ku më pas e kishte dërguar në QKUK për kontroll, dhe aty më pas ia kishin bërë një rëngën dhe ia kishin dhënë dy ampula e më pas ishte lëshuar për në shtëpi.

“Tri javë mbas operimit jena shku në shtëpi, dhe bashkëshorti im ka pas gjakderdhje nga hunda dhe goja, kom thirr spitalin privat i kom informuar dhe doktori Raifi më ka thënë se te disa raste ndodhin. Pas kësaj në ora 03:00 të natës ka pas pak dhimbje në kraharor dhe në brinjë, e kemi thirr emergjencën dhe e kemi dërguar në QKUK, një orë kemi qëndruar ku ia kanë bërë një rëngen dhe dy anpulla”, tha ajo.

Gjithashtu dëshmitarja tregoi se burri i saj pas intervenimit të dytë të bërë në spitalin privat “IMH” kishte ndërruar jetë pas një operimi i cili kishte zgjatur afro 4 orë.

“Në ora 08:00 e  kam thirr doktorin Raif Cakollin i kom treguar për gjendjen e bashkëshortit ai me tha hajdeni në ora 15:00, jemi shku para orës 15:00 dhe doktori kishin qenë MSh, aty kish qenë veç doktori Fabiani. Më pas ia kanë bërë një Ekg të zemrës dhe na njoftoi se bashkëshorti paska ujë në zemër dhe se duhet me ndal me shikuar më tutje, por duke e bërë Ekg e zemrës bashkëshorti pati dhimbje ku e kanë shtrirë në sallë, dhe 4 orë ka zgjat operimi dhe në fund ka vdekur”, tregoi Bajraktari.

Kur u pyet nga prokurorja Florie Shamolli se a kanë bërë obduksion për këtë rast, dëshmitarja u përgjigj se kishte kërkuar të bëhet në QKUK, ku pas rezultatit edhe kishte biseduar me doktorin Flamur Blakaj i cili i kishte thënë se zemra e bashkëshortit para se të hyj në operim kishte qenë e ënjtur, dhe se para operimit ishte dashur t`i jepet antibiotik pastaj të hyj në operim.

Por edhe i akuzuari Gani Bajraktari e pyeti dëshmitaren se a ka vërejtje nga doktorët që gjenden në sallën e gjykimit, por ajo u përgjigje se nuk ka vërejtje.

Kurse dëshmitari Skender Gashi tregoi se kishte kryer një intervenim në spitalin turk ku i ishin vendosur dy stentat, të cilat kishin kushtuar tetë mijë euro.

I dëmtuari Gashi tregoi se kishte pasur dhimbje në gjoks dhe se në spitalin e Pejës kishte shkuar për ndihmë, pas një kontrolli nga ana e mjekeve, ai tha se më pas doktori Reshat Emra e kishte drejtuar për në spitalin privat.

“Kur janë bërë 15 min. doktori Reshat Emra më ka ardhur në dhomë, më ka pyet a ki djem, unë i thash gjashtë. Pastaj më tha a po i thirr djemtë se ty duhet me tregu shqip se ekg ta kena dërgu në ekspertizë. Më pas doktori ju ka thënë djemve a po doni me dërgu babën ku ju thom unë a po doni mas 3 dite me varros”, tha dëshmitari Gashi.

Dëshmitari më pas tregoi se për dy stentat e vendosura kishte paguar pastaj shumën prej pesë mije euro.

“Dy stenta kanë kushtuar tetë mije euro, djali jem e pyeti doktorin a jon të arit a të hekrit, mjeku na tha përpara kanë qenë të arit tash jon kron. Më pas djemtë e mi kanë shku ta bëjnë pagesën për stentat, dhe kur kanë biseduar me drejtorin, djemtë e mi i kanë treguar se kanë qenë ushtar bashkë me Ramushin, dhe çmimin jua ka ulur për pesë mije euro”, tha ai.

Më pas prokurorja Shamolli ia lexoi një pjesë të deklaratës të dhënë në prokurori dëshmitarit, ku i njëjti kishte thënë se e ndjen vetën të dëmtuar, dhe e pyeti se a qëndron mbas kësaj deklarata.

“Po kam thënë dhe mendoj se më kanë shkaktuar shpenzime të pa nevojshme duke me udhëzuar në spitalin privat IMH”, tha ai.

Në gjykimin e së premtes (21 qershor 2019) ka pasur të dëgjohet edhe dëshmitari Bujar Agani, mirëpo në mungesë të tij seanca është ndërprerë, dhe seancat e radhës janë caktuar për datat 9 dhe 10 shtator.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë 41 mjekë dhe një infermier, Gani Bajraktari, Sami Gjoka, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Elfedin Muhaxheri, Nehat Rexhepaj, Nexhmi Zeqiri, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Reshat Emra, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Masar Gashi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

https://kallxo.com/deshmitari-nje-stente-te-gruas-me-shtyne-ta-paguaj-4-000-euro-tjetren-me-thane-e-ke-prej-shpise/

Në këtë rast të akuzuar kanë qenë 45 persona por ndaj të akuzuarve Murat Abazi, Ferid Susuri dhe Perihane Sefa, gjatë seancave gjyqësore për shkaqe shëndetësore është veçuar procedura penale.

Në seancën fillestare gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim.

Kurse po vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private.

Të akuzuarit në këtë rast “Stenta 2” nga Prokuroria Speciale ngarkohen për veprat penale të keqpërdorimit te pozitës dhe marrje të ryshfetit.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Në rastin “Stenta” të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.