Rasti 'Stenta' 09.09.2019
Rrëfimi i dëshmitarit në rastin 'Stenta 2'
Procesi gjyqësor në rastin ‘Stenta 2′ ndaj 41 doktorëve dhe infermier, të akuzuar ka vazhduar sot në Gjykatën e Prishtinës
Trupi gjykues e refuzoi propozimin e avokatit Arianit Koci, mbrojtës i të akuzuarit Elsedin Muhaxheri, në bazë të dispozitave ligjore se pas hyrjes në fuqi të ligjit me të cilin është themeluar Departamenti Special të gjitha lëndët e Prokurorisë Speciale do të gjykohen në Departamentin Special me përjashtim të rasteve kur shqyrtimi fillestar ka përfunduar në departamente të tjera e në rastin konkret shqyrtimi fillestar është mbajtur në departamentin e krimeve të rënda.
Në vazhdimin e procesit gjyqësor të njohur si ‘Stenta’, Nexhat Dragaj ka rrëfyer se: “Në vitin 2012 kam pas infarkt, kam shkuar në spitalin e Pejës. Atë natë mjeku kujdestar ishte Sali Shala, i njëjti me ka bërë EKG-në dhe me ka lut me qëndru në spital se gjendja ime nuk ishte mirë. Ai më ka thënë se duhet të bëjë koronarografia mirëpo duhet të shkoj në spital privat’’.
‘’Personalisht kam shkuar në QKUK dhe kam pyetur a mund të kryhet koronarografia, ata me kanë thënë se nuk kemi mjete për të bërë koronarografinë. Pastaj kam shkuar në spitalin ‘Eda’ të cilin e kam përzgjedh vet. Aty e kam ba koronarografinë dhe aty doktori më ka thënë se duhet të vendosen dy stenta’’, tha dëshmitari Dragaj.
Tutje dëshmitari deklaroi se para operacionit doktori Borce Petrovski sipas tij i kishte propozuar disa lloje të stentave.
“Unë i kam zgjedhur stentat më të shtrenjta të cilat kanë kushtuar 7000 euro, mirëpo kam paguar për koronarografi 850 apo 950 nuk më kujtohet dhe 150 e kam pagu natën në spital në të cilin kam qëndruar 5 netë’’, tha Dragaj.
‘’Stentën e dytë ma ka vendosë djali i Borcës, i cili ishte asistent. Por nuk ishte profesionalisht i përgatitur, sepse gjatë vendosjes së stentës së dytë kam ndi shumë dhimbje’’, tregoi dëshmitari Dragaj.
I pyetur nga prokurorja e rastit Florije Shamolli, se: “A keni kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që t’ua kompensojë këto para?”
Dëshmitari Dragaj deklaroi se: “Jo nuk kam kërkuar sepse nuk e konsideroj vetën palë të dëmtuar andaj nuk parashtroj kërkesë pasuroro-juridike’’.
Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë 42 mjekë dhe një infermier, Gani Bajraktari, Sami Gjoka, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Elfedin Muhaxheri, Nehat Rexhepaj, Nexhmi Zeqiri, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Reshat Emra, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Perihane Sefa, Masar Gashi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari,bBesim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.
Në këtë rast të akuzuar kanë qenë 45 persona por ndaj të akuzuarve Murat Abazi, Ferid Susuri dhe Perihane Sefa, gjatë seancave gjyqësore për shkaqe shëndetësore është veçuar procedura penale.
Në seancën fillestare gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
I akuzuar në këtë rast ishte edhe Ferid Susuri, por ndaj tij ishte veçuar procedura në dhjetor të vitit të kaluar për arsye shëndetësore.
Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.
Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv.
Kurse po vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private.
Të akuzuarit në këtë rast “Stenta 2” nga Prokuroria Speciale ngarkohen për veprat penale të keqpërdorimit te pozitës dhe marrje të ryshfetit.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në rastin “Stenta” të akuzuar janë 42 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor. Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.
Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.