Gjykimi ndaj Flamur Hoxhës

Gjykimi për mashtrimin e mbi 500 kosovarëve me viza pune gjermane

Flamur Hoxha, drejtor i shkollës ‘DBBS’, i akuzuar nga Prokuroria për mashtrim të më shumë se 500 personave, shpëlarje parash, falsifikim të dokumenteve ka dhënë mbrojtjen e tij në Gjykatën e Prizrenit.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale i ngarkon të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj se në vazhdimësi dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shpëlarje parash, atë të mashtrimit, si dhe në bashkëkryerje të kenë kryer veprën penale rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

I akuzuari Flamur Hoxha ngarkohet edhe me veprën penale të shmangie nga tatimi.

Ndërsa Veprim Rexhepi akuzohet për falsifikim të dokumentit.

Ky proces gjyqësor është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave.

Ndërkohë që ka kaluar një vit nga nga fillimi i procesit gjyqësor, tashmë janë dëgjuar dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria dhe mbrojtësit, si dhe ekspertët financiarë dhe procesi ka arritur në fazën përfundimtare.

Flamur Hoxha që ka qenë drejtor ekzekutiv i shkollës “DBBS” gjatë mbrojtjes së tij ka thënë që i njëjti ka qenë drejtor i shkollës, e kjo shkollë është marrë me aftësimin profesional të kandidatëve që i kanë ndjekur kurset pranë këtij institucioni.

Ndërsa sipas të akuzuarit Hoxha firma me emrin MNP Personal Leasing SH.P.K.  ka qenë përgjegjëse për ndërmjetësim për punësim jashtë vendit dhe kjo është udhëhequr nga i akuzuari tjetër Besim Rexha.

Ai ka thënë se ky biznes i ka paguar atij qira pasi që ka qenë i vendosur në objektin e shkollës “DBBS”.

Ai ka thënë se në kontratat me kandidatët e shkollës “DBBS” nuk ka qenë e paraparë punësimi në Gjermani, por që i njëjti vetëm ka ofruar aftësim profesional për punë të ndryshme.

“Kontrata ka parashikuar kandidatët që përfundojnë me sukses aftësimin profesional në DBBS në Kosovë në drejtimin që e kanë ndjekur certifikohen nga DBBS, por gjithashtu duhet të certifikohen në gjuhën gjermane në niveli B1, në institutin “Gote”, atëherë kandidati shkon në ndonjë firmë gjermane për praktikë tre mujore pa pagesë”, ka thënë Hoxha.

I akuzuari Hoxha ka përsëritur disa herë se ai dhe shkolla të cilën e drejtonte nuk ka premtuar asnjëherë se kandidatët e saj do të punësohen me viza pune në Gjermani.

“Sa i përket DBBS-së, asnjëherë nuk është premtuar se do të punësohen me viza pune në Gjermani, jashtë asaj që të njëjtit të kenë praktikë 3 mujore pas përfundimit të aftësimit profesional. Ndërsa sa i përket klientëve të dëmtuar që janë dëgjuar nga MNP Personal Leasing SHPK, ata edhe këtu kanë deklaruar se pagesat i kanë bërë te Besim Rexhaj, dhe kanë aplikuar në Korishë. Shumica e tyre por edhe te zyret e Besimit, në hapësirat e shkollës ku aty nuk e di çka është premtuar”, ka deklaruar Hoxha, ku sipas tij, “DBBS” dhe “MNP”, kanë qenë biznese të ndryshme me pronarë të ndryshëm.

I akuzuari Flamur Hoxha ka deklaruar para trupit gjykues se disa klientëve iu janë kthyer paratë, një shumë totale prej 130 mijë euro.

Prokurori i rastit Afrim Shefkiu i ka kërkuar të akuzuarit Hoxha të sqaronte burimin e shumës prej 130 mijë eurosh.

“Nga dokumenti që gjendet në shkresat e lëndës vërtetohet një marrëveshje ndërmjet IZAR Kapital me seli në Munhen dhe mua Flamur Hoxha për një shumë prej 500 mijë eurosh, lloj kredie private”, ka deklaruar Flamur Hoxha.

Sipas tij ky dokument është i noterizuar dhe transferi i kësaj shume ka kaluar nëpërmjet një banke Gjermane në xhirollogarinë e tij, dhe rreth 200 mijë euro janë investuar në shkollën për aftësim profesional “DBBS”.

Në përfundim të mbrojtjes së tij Flamur Hoxha ka thënë se për akuzat e Prokurorisë për veprën penale falsifikim i dokumenteve nga asnjë dëshmitar dhe asnjë provë nuk u dëshmua kjo “nuk e di se çka kam falsifikuar”, ka thënë Hoxha.

Gjithashtu i njëjti ka shtuar se ndihet i pafajshëm “nuk e ndiej veten fajtor për asnjë pikë të aktakuzës. Ne kemi kërkuar edhe marrëveshje me prokurorin e kjo për mëshirë të kandidatëve që janë të dëmtuar e këtë e kam kërkuar si obligim moral që t’iu kthej mjetet atyre personave që kanë të bëjnë me mua dhe shkollën “DBBS”, por kjo nuk është pranuar nga Prokurori”, ka përfunduar mbrojtjen e tij i akuzuari Flamur Hoxha.

Në muajin mars të këtij viti, Prokuroria Speciale dhe mbrojtësit e të akuzuarve kishin dështuar të arrijnë një marrëveshje për pranim të fajësisë nga të pandehurit.

Gjykimi për vizat gjermane, të akuzuarit nuk pranojnë t’ua kthejnë paratë të mashtruarve

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit fare nuk i kanë punësuar të dëmtuarit në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë, transferuar ato te persona të tjerë pastaj duke shtresuar pasurinë e paligjshme përmes blerjes së pronave të luajtshme si vetura të shtrenjta, apo të paluajtshme, shtëpi dhe banesa.

Kështu të njëjtit kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175,00 euro, nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775,00 euro.

I akuzuari Flamur Hoxha ngarkohet edhe me veprën penale të shmangies nga tatimi.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Veprim Rexhepi, sipas aktakuzës, ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.