ARKIV - Nenad Rikallo

Gjykimi ndaj ish-ministrit Nenad Rikallo mbahet më 21 prill

Gjykimi ndaj ish-ministrit Nenad Rikallo dhe zyrtarëve të tjerë, të akuzuar për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, është caktuar të mbahet më 21 prill 2020.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar mbrojtësi i të akuzuarit, Lindar Krasniqi, avokati Alban Makolli.

Se a do të mbajë gjykata shqyrtimi të dytë  gjyqësor lidhur me kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, varet nga stabilizimi i situatës për shkak të pandemisë së coronavirusit, e cila ka kapluar gjithë botën.

E lidhur me këtë situatë edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka nxjerrë vendim më 15 mars 2020, pas konfirmimit të rasteve pozitive me coronavirusin.

Në bazë të këtij vendimi janë reduktuar esencialisht aktivitetet e Këshillit Gjyqësor dhe të gjitha gjykatave të Kosovës.

Vendimi parasheh kryerjen vetëm të veprimtarive të natyrës urgjente.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Nenad Rikallo, në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”,  pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZhR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

Po ashtu, Rikalo më 26.03.2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara.

I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë, ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë.