Foto: Kallxo.com

Gjykimi i Granit Elshanit: Sa armë u përdorën në përleshjen në diskotekën e Pejës?

Në rigjykimin e Granit Elshanit, i cili po akuzohet për incidentin e janarit të vitit 2010, ku nga plumbat u vra një person e tre të tjerë u plagosën, në cilësi të dëshmitarit u dëgjua eksperti i balistikës Ilir Kukaj.

Eksperti sqaroi para trupit gjykues edhe njëherë në pika të shkurta, lidhur me konstatimin përfundimtar të raportit të ekzaminimit balistik.

Në pyetjen e prokurorit Afrim Shefkiu se “a kanë pas përputhshmëri këto gëzhoja që i përshkruat, me armët e ekzaminuara”, eksperti u përgjigj se “në bazë skicave që më janë dhënë në dispozicion nga trupi gjykues, gëzhojat që i përmenda janë gjetur jashtë lokalit, të dyjat grupet dhe që janë përputhur me armët që kanë qenë objekt ekspertimi”.

Kukaj tha se në urdhëresën e Gjykatës dhe në listën e përshkrimit të dëshmive është shkruar gabimisht numri serik i armës qe është dorëzuar për ekspertim.

“Në urdhëresën e Gjykatës numri serik i armës është shkruar gabim si 44 21 774 e që në fakt është U421 774”, tha ai.

Mbrojtësja e të akuzuarit Granit Elshani, avokatja Kosovare Kelmendi, kërkoi të dijë se në çka e kishte bazuar konstatimin eksperti se urdhëresa e prokurorisë dhe lista e përshkrimit të dëshmive është gabim.

“Sepse numri serik i armës brenda paketimit ka qenë i ndryshëm nga dokumentet që janë cituar nga avokatja. Unë mund të ju them se kur e kam hapur paketimin arma Sig Saurer, ka pasur numrin serik U 421 774, e që ka qenë i ndryshëm nga ai që është përshkruar në urdhëresën e Gjykatës”, tha eksperti.

Avokatja pyeti ekspertin se “pse nuk është kthyer urdhëresa për plotësim meqenëse ka qenë  gabim, pasi qe ai ka konstatuar mospërputhje mes të armës për ekzaminim dhe urdhëresës se Gjykatës.”

“Ne e kemi raportuar si gabim, nuk është procedurë që me e kthy. Gjatë praktikës sime si ekspert ka me x raste kur urdhëresat janë me gabime teknike, lista e përshkrimit të dëshmive janë me gabime teknike, dhe në momentin e ekspertimit që të jemi transparentë, ato gabime i paraqesim në raport”, u përgjigj eksperti Kukaj.

Avokatja Kelmendi e pyeti ekspertin se ”pse nuk është vepruar siç është i obliguar në bazë të nenit 19 të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, e cila e rregullon procedurën e ekspertimit”.

“Së pari ligji që po i referohet avokatja nuk ka qenë në fuqi ne kohën kur është bërë kjo ekspertizë, së dyti ju thash edhe më herët që është praktikë e jona që ndiqet edhe sot se në rast të mospërputhjeje në mes të dokumentacionit dhe provave materiale, ato i paraqesim në procesverbal. Ne e kryejmë ekspertimin dhe aktin së bashku me provat e paraqesim vërejtjen në mënyrë që organi që e ka kërkuar ekspertimin t’i vërejë”, tha eksperti balistik.

Në pyetjen e avokates Kelmendi se “atëherë a është dashur që pikërisht këtë që ka pasur shpërputhje e jo ta konstatoni se ka qenë gabim”, eksperti tha se “unë nuk kam konstatuar që ka qenë gabim por se numri është shkruar gabimisht 4421774 ndërsa në paketim ka qenë me një numër tjetër serik U 421774”.

Eksperti duke iu referuar raportit të ekspertimit tha se behët fjalë për 18 gëzhoja të kalibrit 7.62 X 25 mm dhe këto janë shkrepur prej tri armëve të ndryshme të kalibrit të njëjtët 7.62 x 25.

“Sikur thash më herët gjitha këto janë shkrepur prej tri armëve mirëpo një prej tyre është identifikuar kurse dy ende nuk janë identifikuar”, tha eksperti Kukaj.

“Arma e pestë është një arme e cila ka shkrepur gëzhojën e evidentuar me shifër ex50 e që është e kalibrit 9×17 fishek manovrues. Kjo armë nuk është gjetur dhe nuk është në skice”, shtoi tutje Kukaj.

Avokatja mbrojtëse Kosovare Kelmendi reagoi duke thënë se “në rastin konkret janë përdoruar 5 armë deri tani, a ka ndonjë armë tjetër, nëse e shtojmë edhe një Sig Saurer a mund të konstatojmë se janë përdorur 6 armë, a ka pasur armë tjera përveç këtyre 6 armëve të konstatuara?”.

“Për atë sa po mundem të vërej, jo nuk ka pasur armë tjera”, tha eksperti.

Eksperti në fund të dëshmisë se tij kërkoi nga trupi gjykues që t’i lejohet një plotësim në procesverbal pasi që pas shikimit të ekspertizave ka vërejtur një element shtesë që nuk e kishte dhënë në përgjigjen me herët kur avokatja parashtroi pyetje lidhur me numrin e armëve, duke shtuar se është një plumb i evidentuar Ex4/1 e që është një plumb i fishekut kalibër 9×19 mm e që rezulton nga një arme tjetër por jo nga arma Sig Sauer.

Atëherë avokatja kërkoi të dijë nëse janë 7 armë e jo 4 siç përmendet në aktakuzë.

Përgjigja e ekspertit referuar kësaj pyetje të avokates ishte “po”.

Seanca e radhës mbahet me 12 dhjetor 2019.

Sipas aktakuzës së ngritur ndaj Granit Elshanit për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por fat të keq kishte Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Për këto pretendime në maj të vitit 2018 Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim.

Mirëpo vendimi i Themelores nuk e mori aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim, raporton KALLXO.com.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se secili nga dëshmitarët e ka përshkruar në mënyra të ndryshme pamjen e personit i cili ka shtënë me armë, andaj me qëllim që të eliminohen këto paqartësi Apeli ka kërkuar që ky rast të gjykohet edhe një herë.