I akuzuari Caslav Joliq, seancë gjyqësore 01.11.2023 Foto: Kallxo.com

I akuzuari Caslav Joliq, seancë gjyqësore 01.11.2023 Foto: Kallxo.com

Gjykimi i Çaslav Joliqit për krime lufte në Istog, dëshmitari rrëfen për maltretimet e bashkëvendasit të tij nga i akuzuari

Në gjykimin e Çaslav Joliqit, i akuzuar për krime lufte në zonën e Istogut gjatë viteve 1998 dhe 1999, sot është dëgjuar dëshmia e Gjergj Palokajt.

Joliq po akuzohet për trajtim çnjerëzor dhe tortura në cilësinë e pjesëtarit të Policisë serbe ndaj tre civilëve shqiptarë gjatë vitit 1998.

Në seancën e sotme në Gjykatën e Prishtinës dëshmitari i Prokurorisë Speciale Gjergj Palokaj rrëfeu për rrahjen e tmerrshme që kishte pësuar bashkëvendasi i tij, Zef Malësia, nga një grup i pjesëtarëve të forcave serbe, ku bënte pjesë edhe i akuzuari.

Dëshmitari tha se detajet e ngjarjes së sulmit i kishte dëgjuar nga vetë i dëmtuari Zef Malësia.

Dëshmitari tha se Zef Malësinë e njihte si bashkëvendas dhe aktivist të devotshëm, dhe se kishin raporte të shkëlqyeshme familjare meqë e ka edhe kumbarë.

“Pranë shtëpisë së vejushes, aty ka filluar ngjarja dhe rrahja e dhunshme që i është bërë Zefit. Aq shumë e kanë rrehë, gazetarët e kanë futë pa ndjenja në veturë” – rrëfeu për ngjarjen dëshmitari Palokaj.

“Ato ditë ka qenë si me nxjerrë prej varrit, me kry të enjtur, me sy të nxirë, krejtësisht i molisur” – shtoi tutje dëshmitari.

Dëshmitari Palokaj tha se e njihte të akuzuarin Joliq “meqë të gjithë kanë qenë të familjeve që i kishim bashkëfshatarë”.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, rrahja e Zef Malësisë ka ndodhur në maj të vitit 1998, ndër sy të dy gazetarëve të huaj, të cilët Zef Malësia i kishte shoqëruar te vendi ku ishte rrëzuar një helikopter i forcave serbe.

Tutje, dëshmitari tha se të akuzuarin Joliq e kishte parë edhe duke i vëzhguar makinat e monitoruesve të OSBE-së me një “Passat” të verdhë dhe se kishte veshur rroba civile gjithmonë.

Gjithashtu, dëshmitari Palokaj deklaroi që në vitet 1998-1999 kishte jetuar në fshatin e tij, Gurakoc të Istogut, ndërsa pas tre ditësh të bombardimeve të NATO-së, ata ishin dëbuar nga forcat serbe dhe kishin shkuar në fshatin Zllakuqan, ku kishin qëndruar për 3 muaj.

“Në jetë nuk kam përjetu diçka më të vështirë edhe më të rëndë se atë ditë, kur për së shnoshi, të vjen dikush edhe të thotë me lëshu shtëpinë” – tha ai, duke treguar momentet kur forcat serbe i kishin dëbuar nga fshati.

Raportet e KALLXO.com për këtë rast mund t’i lexoni këtu.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, në vitin 1998, në lagjen “Bllagaq” të fshatit Gurakoc, ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Z. M. po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë, njëri anglez e tjetri belg, së bashku me një përkthyese shqiptare.

Sipas dosjes së Prokurorisë me të arritur tek vendi i ngjarjes nga shtëpia e Rosa Pejoçinoviq dalin pesë persona të veshur me uniforma të policisë serbe, Radule (Dule) Pejoçinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejoçinoviq, Millosh Joliq dhe një person tjetër i pa identifikuar.

Në dosje theksohet se të njëjtit akuzojnë të dëmtuarin Z. M. se pse i kishte sjellë gazetarët në vendin e ngjarjes.

Pas këtyre akuzave të lartcekurit sipas Prokurorisë e sulmojnë fizikisht dhe dy prej policëve e kapin për krahu dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grushte dhe shqelma për një periudhë prej 20 minutave deri sa në një moment personi me nofkën (Dule) e kishte goditur me boks në kokë të dëmtuarin më ç’rast Z. M. kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Sipas dosjes së prokurorisë, më 15.03.1998, derisa i dëmtuari tjetër N. F. po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga disa persona, në lokal kishin shkuar 5 policë serbë dhe duke e kapur për qafe e kishin tërhequr zvarrë jashtë lokalit, pastaj të gjithë fillojnë ta sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas aktakuzës, polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur me tytë të automatikut disa herë në kokë duke ia mbuluar tërë trupin me gjak, dhe duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion të policisë në Gurakoc.

Tutje në dosje thuhet se duke e dërguar në stacion të dëmtuarin e njoftojnë se do ta ekzekutojnë. Ndërsa më datën 28 mars të po të njëjtit vit të dëmtuarin e kishin detyruar që ta lëshojë shtëpinë si çdo banor tjetër i fshatit.

(Shënim: Tekstit i është bashkangjitur pjesa nga përmbajtja e aktakuzës – Koha e editimit: 13:44 – 22.02.2024)