Hagë – Rasti Bahtijari dhe Januzi, Gjykata zgjat afatin për dorëzimin e parashtrimeve për lirimin e parakohshëm

Dhomat e Specializuara në Hagë mbajtën konferencën e tyre të dytë mbi zhvillimet e rastit të Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit, të cilët u arrestuan më 5 tetor të këtij viti në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga gjykata.

Ata aktualisht janë të paraburgosur në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Bahtjari dhe Januzi po dyshohen se kanë tentuar të ndikojnë mbi një dëshmitar, për ta penguar atë të dëshmojë gjatë gjyqit të Dhomave të Specializuara.

Gjatë senacës së sotme u diskutuan pika të ndryshme të rendit të ditës që kanë të bëjnë me procedurat gjyqësore.

Gjykata pas kërkesës së Jonathan Elystan Rees, mbrojtës i Sabit Januzit ka vendosur të ndryshojë afatin për dorëzimin e parashtrimeve për kërkesën e lirimit të parakohshëm.

“Pasi dëgjova palët dhe duke marrë parasysh caktimin e një mbrojtësi të ri për z. Januzi e gjejë të përshtatshme të ndryshoj afatin e parashikuar me rregullore lidhur me çdo parashtrim shtesë nga mbrojtja e z. Januzi në lidhje me lirimin e përkohshëm dhe përgjigjen e përkohshëm e ZPS-së ndaj këtyre parashtrimeve plotësuese. Kështu që e urdhërojë mbrojtjen e z. Januzi të dorëzojë parashtrimet shtesë deri në 10 nëntor. ZPS-në të përgjigjet deri më 17 nëntor dhe mbrojtjen e z. Januzi të kundërpërgjigjet deri me 24 nëntor”- deklaroi Nicolas Guillou.

Në të njëjtën konferencë, gjyqtari Guillou njoftoi se afati për parashtrimet lidhur me kërkesën për lirim të përkohshëm nga Bahtjari mbetet i pandryshuar.

Gjithashtu, gjyqtari Guillou dha urdhër në lidhje me mocionet që u paraqitën gjatë konferencës për përgjigjet dhe kundërpërgjigjet në mes të palëve në këtë proces.

Ai urdhëroi që mbrojtja e Januzit dhe mbrojtja e Bahtjarit të përgjigjen ndaj çdo mocioni paraprak deri më 9 janar 2024, e martë.

Paraprakisht, pika e parë e diskutuar ishte afati 30 ditësh për nxjerrjen e materialeve që duhet të dorëzohen përpara lëshimit të mocioneve paraprake.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) duhet të përgjigjet brenda 5 ditëve pas dorëzimit të kërkesave të mbrojtjes.

Megjithatë, avokati i mbrojtjes, Jonathan Elystan Rees, kërkoi një afat shtesë për të përgjigjur në këtë fazë.

Ai argumentoi se ata synojnë të përdorin afatin e plotë prej 30 ditësh për paraqitjen e dosjes paraprake, dhe kërkojnë kohë të mjaftueshme për të kundërpërgjigjur ZPS pasi të kenë studiuar dosjen me kujdes.

“Nëse na jepnmi një mundësi të kundërpërgjigjemi pas pushimit të gjyktës”- citoi Jonathan Elystan Rees.

Sa i përket nxjerrjes së materialeve, gjykata mori urdhrin e parë dhe vendosi që kategorizimi dhe nënkategorizimi i tyre duhet të bëhet sipas provave ‘legal workfloow’.

Kjo do të ndodhë për parashtrime me shkrim që kanë datën 31 tetor 2023.

“Urdhërojë miratimin e kategorizimit dhe nënkategorizimit në mënyrë specifike sipas provave ‘legal workfloow’, të parashtrimeve me shkrim që mbajnë datën 31 tetor 2023”- deklaroi gjykatësi i procedurës paraprake, Nikola Giju.

Sa i përket hetimeve, ZPS bëri të ditur se procesi hetimor ende ka hapa për të marrë, dhe ata po përgatisin për të nxjerrë materiale të reja deri në dhjetor 2023.

Mbrojtja nuk dha parashtrime të veçanta për fazën e statusit të hetimit.

Një temë  tjerër që u diskutua ishte dosja paragjyqësore e ZPS dhe afati i dorëzimit të saj. Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se dosja paraprake do të dorëzohet më 2 shkurt 2024. Mbrojtja nuk bëri ndonjë koment lidhur me këtë.

Gjykata mori urdhrin e dytë në lidhje me dorëzimin e dosjes paraprake, duke urdhëruar ZPS që të paraqesë dosjen sipas rregullores, deri në datën e premtes, 2 shkurt 2024.

“Urdhërojë ZPS të dorëzojë dosjen paraprake sipas kuptimit të rregullës dhe rregullores, brenda të premtes 2 shkurt 2024, dhe jo më vonë se kjo datë”- deklaroi gjykatësi Guillou.

Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi po dyshohen se u përpoqën ta “bindnin një dëshmitar të mos dëshmonte” në gjyqin e Dhomave të Specializuara.

Në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023 të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës.

Sipas aktakuzës, “Dëshmitari 1” është person që i ka dhënë ose ka të ngjarë t’i japë Task Forcës Hetimore Speciale (“TFHS”), ZPS-së dhe/ose cilitdo trupi gjykues të DHSK-së, informacion në lidhje me krime ose vepra penale të përfshira në juridiksionin e DHSK-së.

Sipas aktakuzës, midis më së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Januzi dhe Bahtjari u takuan secili më vete me Dëshmitarin 1 për ta nxitur Dëshmitarin 1 që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë përmes përdorimit të kërcënimit të rëndë.

Më tej aktakuza deklaron se dy të akuzuarit, në bashkëkryerje me individë të tjerë, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale me Dëshmitarin 1. Sipas aktakuzës, kjo sjellje tregon se Januzi dhe Bahtjari synonin ta frikësonin Dëshmitarin 1 dhe të pengonin persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Ata po nagrkohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurave penale.

Çka përmban aktakuza?

Aktakuza përmban këto pika thelbësore:

Kërcënimi dhe Veprimi i Përbashkët: Sipas aktakuzës, Januzi dhe Bahtari janë akuzuar për tentativën për të penguar persona zyrtarë, përfshirë gjykatës, prokurorë, dhe figura të tjera të drejtësisë, në kryerjen e detyrave zyrtare. Sipas aktakuzës, kjo është bërë përmes kërcënimit të rëndë dhe pjesëmarrjes në një grup personash për të ndikuar negativisht në detyrat e personave zyrtarë. Aktakuza argumenton se Januzi dhe Bahtjari, në bashkërendim me të tjerët, kanë tentuar të pengojnë persona zyrtarë në detyrat e tyre zyrtare midis datave 5 dhe 12 prill 2023.

Aktakuza tutje shtjellon edhe pikën e kërcënimit dhe veprimit individual, se Januzi dhe Bahtjari janë akuzuar se kanë takuar dëshmitarin 1 dhe kanë tentuar që i njëjti të mos jepte dëshmi, të jepte dëshmi të rreme, ose të tërhiqte dëshminë në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara. Ata kanë shfaqur sjellje dhe gjuhë kërcënuese për ta frikësuar dëshmitarin.

Për pikën e aktakuzës lidhur me Frikësimin gjatë procedurës penale: Januzi dhe Bahtari janë akuzuar se kanë përdorur kërcënime të rënda ose ndonjë mënyrë tjetër të detyrimit për të ndikuar dëshmitarin që të mos jepte deklaratë të vërtetë kundrejt policisë, prokurorit, ose gjykatësit lidhur me procedurat penale.

Aktakuza përcakton se Januzi dhe Bahtari mbajnë përgjegjësi penale individuale për veprat penale të përfshira në akuzë, përmes formave të përgjegjësisë penale të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale (KPK) dhe ligjet relevante.

Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se e merr jashtëzakonisht seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve, dhe pengimin e drejtësisë, dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës u themeluan në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, një amendamenti kushtetues, si dhe në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Ato janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës kanë seli në Hagë,Holandë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.