Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Gjykata e dënoi me burgim me kusht të akuzuarën për manipulimin e rezultateve në zgjedhjet e 2017-ës
Saime Lipa është shpallur fajtore sot nga Gjykata e Pejës për vepër penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’.
Asaj për këtë vepër iu shqiptua dënim me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej 1 viti nuk kryen vepër tjetër penale.
E akuzuara Lipa e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë.
“Unë nuk e kam bërë më qëllim, ka qenë nga pakujdesia. E pranoj fajësinë”, deklaroi ajo.
Ndërsa propozimi i prokurorisë për shqiptimin e dënimit plotësues-ndalimi i ushtrimit të profesionit, u refuzua nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu.
Sipas dosjes së prokurorisë, në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017, e akuzuara në cilësinë e kryetares së komisionit ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultat e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.
Kështu e akuzuara në formularin e rezultateve të kandidatëve ka regjistruar 17 vota më pak dhe 133 më shumë, gjithsej 150 vota të regjistruara pasaktë.
Sipas prokurorisë këto shifra kanë rezultuar pas procesit të rinumërimit të votave.